Arbëri

Qeveria bëhet pishman për zyrtarët e nivelit të lartë drejtues që i kishte lënë në rrugë

Janë sistemuar në institucione zyrtarët e nivelit të lartë drejtues që ishin lënë në rrugë, me insistim të kryeministrit Avdullah Hoti. Vendimi është marrë pasi KOHA raportoi se ata do të bënin padi, pasi konsideronin se jashtëligjshëm po u ndërpritej marrëdhënia e punës

Kryeministri Avdullah Hoti është bërë pishman. Ka hequr dorë nga përcaktimi i mëhershëm për të mos i sistemuar zyrtarët e nivelit të lartë drejtues, përfshirë sekretarë të përgjithshëm të institucioneve, kryeshefa ekzekutivë e drejtorë agjencish, të cilët e kanë përfunduar mandatin pasi ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë.

Me udhëzime të tij, 9 nga të parët që e kishin përfunduar mandatin ishin lënë në rrugë dhe fat i njëjtë i priste edhe 42 zyrtarë që mbajnë këso pozitash të larta drejtuese. E një javë pasi ka raportuar KOHA për këtë, situata është përmbysur.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme e konfirmojnë informatën.

“Sistemimi i zyrtarëve të lartë drejtues që kanë përfunduar mandatin pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë është bërë duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë”, ka thënë Rita Spahiu, këshilltare e ministrit Agim Veliu.

Ligji ka hyrë në fuqi gjatë verës, por sistemimi nuk është bërë deri tash, me insistim të kryeministrit Hoti. Madje, pasi Ministria e Brendshme kishte nxjerrë vendime akomodimi muajin e shkuar, ato ishte dashur të zhvlerësoheshin. E të dëmtuarit patën paralajmëruar padi.

“Nuk e tolerojmë në asnjë formë shkeljen dhe përdhosjen e të drejtave tona, të cilat janë të garantuara me kushtetutë dhe me ligj”, pati paralajmëruar Arben Çitaku, ish-sekretar i përgjithshëm.

Risistemimit i ka paraprirë nxjerrja e një opinioni ligjor nga Zyra e Kryeministrit.

“Në çdo rast kur mbaron mandati dhe nuk zbatohet rizgjatja e tij, njësia e pranimit (Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë), ka për detyrë që nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese, të emëruar sipas Ligjit për Shërbimin Civil, t’i emërojë në një pozitë të kategorisë së mesme drejtuese dhe pastaj në pozitë të kategorisë profesionale”, thuhet mes tjerash në këtë dokument, të cilin e ka siguruar KOHA.

Përfundimisht, më 15 dhjetor Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë ka nxjerrë vendime për secilin nga zyrtarët e nivelit të lartë drejtues që kishin mbetur në shtëpi.

Një pjesë e arsyetimit të të gjitha vendimeve është e ngjashme. Aty tregohet se sistemimi është bërë, bazuar në një shkresë të Zyrës së Kryeministrit.

“Ky vendim nxirret pas marrjes së opinionit ligjor të Zyrës së Kryeministrit dhe konfirmimit të pozitave të lira nga institucionet e sistemit ministror dorëzuar tek Zyra e Kryeministrit më datë 11 dhjetor 2020”, thuhet në arsyetimin e vendimeve.

Në bazë të këtij arsyetimi Arben Çitaku, nga sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale është sistemuar në drejtor të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës në të njëjtën ministri.

Naim Baftiu, që ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave, është akomoduar në drejtor të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Shëndetësisë.

Fitim Sadiku ishte sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tash është dërguar drejtor i Departamentit të Protokollit të Shtetit në të njëjtën ministri.

Veton Firzi, nga sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës është sistemuar në drejtor të Departamentit të Mbështetjes në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kapllan Halimi ka qenë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe tani është sistemuar në drejtor të Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Halimi ishte i suspenduar më herët, pasi kundër tij Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, nën dyshimin për keqpërdorim të 4 milionë eurove të dhëna në emër të granteve, e për të cilin rast paraprakisht kishte raportuar KOHA.

Valdet Gjinovci, nga kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës është sistemuar në drejtor të Departamentit për Kimi, Biologji, Faranikë, në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

Hafiz Gara ka qenë kryeshef i Agjencisë Kosovare të Standardizimit dhe është akomoduar në drejtor të Departamentit për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Lah Nitaj, nga drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në Ministrinë e Arsimit, është sistemuar në drejtor të Departamentit të Arsimit dhe Aftësim Profesional në të njëjtën ministri.

Ismail Smakiqi ishte drejtor i përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe është sistemuar në drejtor të Departamentit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në pozitat e nivelit të lartë drejtues kryesisht janë vënë njerëz të afërt me subjekte politike në pushtet. Trend të tillë rekrutimi ka vazhduar edhe Qeveria Hoti.