Arbëri

Gashi i quan agresive reagimet e deputetëve të VV-së në sallën e Kuvendit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka quajtur sjellje agresive reagimin e deputetëve të LVV-së për moslejimin e futjes së zv.kryeministrit Driton Selmanaj në Kuvendin e Kosovës.

Gashi ka deklaruar se sjelljet e VV-së janë agresive dhe të paarsyeshme, duke thënë se veprimet e sotme kishin potencial dhune.

“Askush nuk mundet t’ia imponojë vullnetin Kuvendit. Veprimet që i pamë sot kishin potencial dhune. Nëse kanë vërejtje për ndonjërin nga anëtarët e Qeverisë, Kushtetuta i parasheh mekanizmat demokratik të veprimit e i cili është mocioni i mosbesimit, i cili mund të bëhet ndaj Qeverisë në tërësi apo ndaj ndonjë individi në veçanti. Sjellja e dhunshme dhe pamundësimi i mbajtjes së seancës është i papranueshëm”, ka deklaruar në një konferencë për media.

Deputeti i LDK-së ka potencuar se Kuvendi i Kosovës po kapet peng nga drejtuesja e Kuvendit dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Drejtuesja është e detyruar që të garantojë kushtet për mbarëvajtje dhe secili deputet ta kryejë detyrën e tij, por jo në mënyrë të njëanshme të pamundësohet fjala në cilësinë e kryesueses së Kuvendit. Ne nuk do të lejojmë në asnjë formë që vullneti qytetar dhe demokratik të shkelet me veprime të dhunshme”, ka thënë tutje.

Gashi ka bërë me dije se Selmanaj do të jetë prezent në sallën e Kuvendin në secilën seancë ku kërkohet prezenca e tij.

“Çka mund të them është se kemi institucione kushtetuese funksionale. Sapo t’i afrohemi afatit për zgjedhjen e presidentit nëse s’ka zgjidhje, do të kemi zgjedhje”, ka thënë tutje ai.