Arbëri

LDK-ja shton buxhetin si temë në takimin me partitë për presidentin

Descriptive Text

Partia që udhëheq koalicionin qeverisës përveç çështjes së presidentit, me subjektet politike synon të diskutojë edhe për tema të tjera.

Listës së diskutimeve që LDK-ja do t’i hapë në takimin e paralajmëruar qysh një muaj më parë i janë shtuar edhe pandemia, buxheti e dialogu.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një përgjigje për KOHËN, është shprehur optimist se do të arrijnë një gjë të tillë.

Ndonëse nuk ka treguar nëse takimi do të mbahet brenda këtij viti, Mustafa ka thënë se janë në kontakt me të gjithë krerët e partive, përveç atij të Vetëvendosjes.

“Jam në kontakt me të gjithë, përveç me z. Kurti. Po bëjmë përpjekje ta krijojmë një klimë mirëkuptimi dhe mirëbesimi për takime jo vetëm për çështje të presidentit, por edhe çështjeve të tjera vitale për vendin, siç janë pandemia, buxheti dhe dialogu. Jam i bindur se dominon konstruktiviteti te shumica e subjekteve politike për të gjetur zgjidhje në kohë të duhur, sepse shumica e tyre është e preokupuar me problemet jetike të qytetarëve e jo me numërimin e votave”, ka thënë Mustafa.

Nga kushtëzimi për postin e presidentit nuk ka hequr dorë Partia Demokratike e Kosovës. Kreu i saj, Enver Hoxhaj, të enjten ka thënë se dakordimi për presidentin nuk nënkupton ndryshimin e raportit aktual karshi koalicionit qeverisës.

“Nëse kërkojnë votat tona, e dini se qëndrimi është që presidenti duhet të propozohet nga PDK-ja. Presidentin e zgjedhim tash pa shkuar në zgjedhje, por atë duhet ta zgjedhim edhe nëse shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Hoxhaj.

Votimin e buxhetit në Kuvend edhe kryeministri Hoti e ka ndërlidhur me situatën aktuale në vend.
“Jemi duke zhvilluar disa konsultime. Shpresojmë që i kryejmë shpejtë dhe e dërgojmë në Kuvend siç e kemi dërguar edhe ligjin për rimëkëmbje. Jemi në një situatë vërtetë specifike politike besoj që do ta tejkalojmë së shpejti”, ka deklaruar Hoti.

Me dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi, LDK-ja ka insistuar që të ulet së bashku me partitë e tjera parlamentare për të gjetur një zgjidhje. Dy rrugët që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e kryeministri, Avdullah Hoti, kanë përmendur janë gjetja e një zgjidhjeje për postin e presidentit ose shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.