2 perditesime
16:18

Krasniqi: Asnjë ditë ShSKUK-ja nuk ka pasur mungesë oksigjeni

U.d i drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, në Komisionin për Shëndetësi i është përgjigjur interesimit të deputetëve për furnizimin me oksigjen, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se muajin korrik kanë arritur të sigurojnë 20 mijë litra me oksigjen të lëngshëm nga kompania e kontraktuar.

“Gjatë muajit shtator kemi marr donacione me oksigjen. Kemi vizituar dhe bërë evidentim në disa spitale nëse ka humbje dhe kemi kërkuar shpenzim në mënyrë racionale”, tha ai.

Sipas tij, ShSKUK-ja asnjë ditë s’ka mbetur pa oksigjen dhe se kjo situatë do të përmirësohet.

Për situatën aktuale Krasnqi tha se gjendja momentale me oksigjen është stabile dhe se kanë marrë masat e duhura.

“Vështirësi ka pasur, por ne kemi marr të gjitha masat që të ketë furnizim me oksigjen”.

Sa i përket furnizimit me oksigjen nga kompanitë e palicencuara për spitalet rajonale ai nuk ka dhënë ndonjë informacion, raporton EO.

Ai tha se mbetet shqetësuese për ta vdekjet e qytetarëve nga Covid-19. Krasniqi ka thënë se nuk pajtohet që klinikat e ShSKUK-së janë bërë vatër e infeksionit.Drejtori i ShSKUK-së ka thënë se ka vështirësi në furnizimin me barna. Ai thotë se ka vështirësi në furnizim nga kompanitë por jo për shkak të mosplanfikimit.

“Për të gjitha barnat anti-Covid kemi kontrata të nënshkruara”, tha ai./EO

13:36

Zemaj: Kosova është në mesin e 92 vendeve që 20% të sasisë së vaksinës anti-Covid do ta ketë falas

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur edhe për vaksinën anti-Covid.

Ai ka thënë se më 7 dhjetor ka nënshkruar aplikimin për vaksinë, kurse ka shtuar se COVAX ka pranuar aplikimin.

Zemaj ka thënë se Kosova është listuar në mesin e 92 vendeve ku 20 për qind të vaksinës do ta ketë falas.

“Koha e vaksinës do të jetë e qasshme varësisht se sa shpejt do të arrihet sigurimi. Synimi është imunizimi i atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë ai.

Zemaj tutje ka shtuar se kanë pasur problem me furnizim me oksigjen, porse sipas tij, tashmë është tejkaluar.

“Angazhimi dhe përkushtimi për sigurimin e vaksinës anti-Covid na takon edhe në negocim edhe në plan dhe veprim. Po e trajtojmë me seriozitet për marrjen e vaksinës. Fati i mirë është që kemi miq të mirë që do ta mbështetin Kosovën edhe në situata të ndërlikuara. Po i siguroj qytetarët që jemi në rrugë të mbarë për sigurimin e vaksinës”, ka thënë ai.

13:26

Zemaj: Masat e reja do të ndërmerren varësisht nga numri i të infektuarve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi, janë duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Zemaj ka paralajmëruar masa të reja, varësisht prej numrit të rasteve, duke shtuar se nuk do të ketë zbutje të masave.

Ai ka thënë se rënia e rasteve me COVID-19 ka ardhur për shkak të masave të cilat janë ndërmarrë.

“Bashkë me Kryeministrinë, Qeverinë, Institutin dhe akterët e kyçur në luftë po ndërmarrim masa. Burime të infeksioneve janë shpërndarë dhe duhet punojmë të gjithë për të arritur synimin e përbashkët pozitë e opozitë. Këto dy javë janë mjaft sfidues ndaj ju ftoj për përkrahje. Me trendin aktual nënkuptohet se do të jenë në fuqi masat e ndërmarra nga qeveria në nëntor. Bazuar në numrin e të infektuarve dhe shtrirjes së infeksionet mund të shohim për masa të reja. Për shkak të masave të marra është stagnuar numri. Ndaj këto masa duhet të vazhdojnë për të pasur ulje të lakores së rasteve me infeksion. Shqetësuese mbetet e që është përkushtimi jonë është edhe ulja e numrit të vdekurve”, ka thënë ai.

Anëtarja e komisionit, Albena Reshitaj, ka kërkuar sqarim lidhur me mungesën e oksigjenit në spitale, duke pyetur se a ka raste për përdorim të oksigjenit të dyshimtë

“Ne si komision kemi mungesë të dhënash andaj kërkojmë nga administrata juaj të na dërgojë të dhënat për secilën komunë se sa është numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve. Jemi në fund të vitit dhe karakterizohet me lëvizje më të mëdha. Do të ishte mirë të flisnit se cilat do të jenë rrugët që do të punohet. A do të ketë kufij të hapur për diasporën. Preokupimi tjetër është mospërfshirja në pagat shtesë për disa kategori. A pritet edhe këta të përfshihen? Këto kategori po punojnë pandërprerë në këtë kohë. Çështje tjetër është aspekti epidemik në vend. Në Angli është shënuar një variant i ri i virusit. Ministër a janë bërë hulumtime dhe a janë evidentuar rastet në Kosovë. Me datën 11 nëntor SHSKUK ka njoftuar se komiteti ka vendosur të pezulloj punën në ambulancat specialistike në QKUK. Si erdhi deri te ky vendim. Ku gjendemi sa i përket vaksinën anti-covid, kur do të vijë në Kosovë?”, ka pyetur ajo.