3 perditesime

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se Agjencioni Kosovar për Inteligjencë është duke bërë verifikimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me buxhetin e ndarë që do shfrytëzohet për të akuzuarit e Gjykatës Speciale.

23:48

Selimi: Kompromisi i AAK-së është kandidatura e Haradinajt për president

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se AAK-ja kompromisin e vetëm për vendin e kandidaturën e Ramush Haradinajt për president të vendit.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kompromis kanë bërë edhe partitë e tjera, duke marrë secila diçka nga pushteti.

“Kompromisi është që të gjendet një rrugë e përbashkët. Ky kompromis është pozitiv edhe për partitë tjera siç është LDK-ja që e kanë ofruar një kompromis që është kryeministri i vendit, Nisma gjithashtu zv.ministrin dhe ofrimi i kompromiseve, mund ta gjej një faktor uniteti mes partive tona dhe një kandidaturë e një presidenti që do të jetë për të gjithë”, ka deklaruar ai.

Selimi ka theksuar se Qeveria e tanishme ishte bërë përmes një kompromisi nga LDK-AAK-NISMA, duke u rreshtuar kandidatit të LDK-së për kryeministër.

“Kandidatura e Haradinajt është një kandidaturë që i plotëson kushtet formale të Kushtetutës dhe i plotëson kushtet e vlerës së shtuar që duhet ta ketë një president e që është garantimi dhe funksionimi demokratik i institucioneve, Haradinaj këtë e ka treguar në dy udhëheqje të Qeverisë se e garanton këtë”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka bërë me dije se Haradinaj i ka edhe karakteristikat dhe personalitetin e një njeriu të duhur për president.

“Duhet ta kemi një president që i ka tiparet karakteret dhe personalitetin e Haradinaj dhe mendoj që si person, i plotëson kushtet edhe të lidershipit që do i shkojnë për shtati secilës parti që vjen nga pushteti”, ka thënë ai.

 

23:29

Ministri Selimi: S’kam problem me emërimet politike derisa mund t’i bëj ato

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se nuk i sheh si problem emërimet politike duke u nisur nga fakti që janë në diskrecion të tij t’i bëjë ato.

Ai ka shtuar se këto emërime i bën duke u bazuar në prapavijën dhe përvojën e kandidatëve.

“Unë nuk e shoh ndonjë problem pasi këto pozita janë me emërim politik, nuk janë pozita të shërbimi civil dhe emërimin politik e kam bërë unë, në bazë të prapavijës, përvojës dhe ngritjes akademike të cilat zonja i posedon. Të gjitha emërimet politike që i bën ministri janë publike, si për të mirë si për të keq. Në këto emërimi që janë bërë, e kam diskrecionin si ministër të bëjë emërime politike në bazë të kushteve që plotësohen”, ka potencuar ai në Interaktiv të KTV-së.

 

23:22

Selimi konfirmon kërkesat e para të të akuzuarve të Specialës për pagesë të mbrojtjes

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka konfirmuar se tashmë janë bërë kërkesat e para nga të akuzuarit e Specialës për pagesë të avokatëve mbrojtës.

Ai në një intervistë dhënë në Interaktiv të KTV-së nuk ka zbuluar se kush ka bërë kërkesë, por ka thënë se jo të gjithë kanë aplikuar për këtë ndihmë nga shteti.

"Kemi filluar të pranojmë kërkesat e para. Besoj që këtë javë do të mblidhet komisioni për herë të parë dhe t'i shqyrtojë dosjet a janë të kompletuara. Kemi pranuar disa kërkesa nga të akuzuarit potencial atje, jo nga të gjithë, por nga disa. Pas konfirmimit të aktakuzave ndaj tyre është përmbushur kushti formal i Ligjit për mbrojtjen e të akuzuarve potencial", ka thënë Selimi.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë neuro për mbrojtjen e ntë akuzuarve nga Specialja, shtatë milionë euro tash dhe 13 milionë euro rezervë.

Selimi nuk ka dashur të flasë me emra dhe shifra, pasi sipas tij, kjo do të dëmtojë konfidencialitetin mes avokatëve dhe të akuzuarve.

 

23:17

Selimi: AKI-ja do i verifikojë dokumentet lidhur me mbulimin e shpenzimeve për të akuzuarit e Speciales

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se Agjencioni Kosovar për Inteligjencë është duke bërë verifikimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me buxhetin e ndarë që do shfrytëzohet për të akuzuarit e Gjykatës Speciale.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se ky verifikim duhet bërë për arsye se dokumentet janë të klasifikuara në nivel sekret dhe si të tilla, duhet kaluar në procedura verifikimi.

“Për shkak se dokumentet me të cilat punojnë ky staf janë të klasifikuara të nivelit sekret andaj edhe verifikimi duhet të bëhet nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës që e ka një Departament që merret me verifikimin për t'i dhënë pastaj certifikatat për qasje në dokumente”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka shtuar se puna me këto dokumente do të bëhet pasi të merret aprovimi nga AKI-ja.

“Me përpilimin e udhëzimeve administrative dhe nënshkrimin nga ana ime, është paraparë që të bëhet një verifikim i tillë. Unë mendoj që ky verifikim është pozitiv pasi që e kemi institucionin relevant që e bënë këtë gjë dhe i jep një legjitimitet të shtuar edhe legalitet çdo personi i cili punon me dokumente sekrete”, ka potencuar tutje ai.