Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander, deklaroi se qëndrimi i Moskës në lidhje me Kosovën dhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, mbetet i pandryshuar dhe se ajo do të përkrahë çdo zgjidhje që e mbështet Beogradi, e citojnë atë mediat serbe.
“Jemi të sigurt, ashtu si edhe Beogradi, se zgjidhje e fuqishme, e qëndrueshme për Kosovën është e mundshme vetëm në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB. Do të pajtohemi me atë zgjidhje që do t’u përgjigjet ligjeve dhe interesave të serbëve, që do të mbështetet nga Beogradi”, i ka thënë ai “Novostit”.
I pyetur nëse Serbia mund të presë veto ruse, nëse në KB shtrohet çështja e anëtarësimit të Kosovës, Bocan-Kharchenko deklaroi se Rusia edhe më tutje “do të angazhohet për respektimin rigoroz të të drejtës ndërkombëtare, do të ofrojë mbështetje parimore sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, si në Kombet e Bashkuara, ashtu edhe në forumet e tjera multilaterale”, transmeton Koha.net deklaratën e ambasadorit rus.