Arbëri

Koronavirusi mori jetën e pesë anëtarëve të një familjeje nga Kamenica

Pesë anëtarë të një familjeje nga fshati Koretin i Kamenicës kanë vdekur brenda një muaji si pasojë e infektimit me koronavirus. Nëna dhe katër fëmijët e saj nuk kanë arritur të përballojnë luftën me virusin.

Të premten u regjistrua vdekja e pestë në këtë familje. Bëhej fjalë për një burrë, që vdiq pas dy motrave, vëllait dhe nënës.

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet shëndetësore në Kamenicë si dhe kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati.

“Sapo mora lajmin që edhe anëtari i pestë i një familje nga Kamenica, ka ndërruar jetë si pasojë e #COVID19. Është tejet e dhimbshme për të gjithë ne. Numri i personave që nuk arritën ta fitojnë betejën me #COVID19, ka arritur në 31. Prandaj, ju lutem kujdesuni e respektoni të gjitha udhëzimet nga institucionet e shëndetësisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, për humbjen e më të dashurve të tyre!”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryetari i fshatit Koretin, Sejdi Kurteshi ka thënë për KOHËN se viktima e fundit e familjes Basha nuk e ka ditur për fatin e familjarëve tjerë të cilin kishin vdekur nga virusi COVID-19 ngase nuk kanë dashur që t’i rëndojnë gjendjen shëndetësore.

“Deri tash nuk është bërë publike që kanë vdekur anëtarët e tjerë të kësaj familjeje me qëllim që të mos i rëndohet gjendja shëndetësore. Nuk e ka ditur deri në ditët e fundit sepse ky ka qenë i shtrirë në spital dhe pardje i ishte përkeqësuar gjendja e mandej ka shkuar në Gjilan dhe pastaj në Prishtinë dhe ka vdekur atje”, ka thënë ai.

Në raportin e së premtes të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë është bërë e ditur se si pasojë e koronavirusit në vend kanë vdekur 1174 persona. Numri total i rasteve pozitive nga fillimi është 45 mijë e 594, ndërsa janë 11.922 raste aktive.