Arbëri

Ekspertët ndërlidhin vendimin e Kushtetueses për votat nga jashtë me atë të ish-deputetit Berisha

Foto: Koha

Vendimi i së enjtes i Kushtetueses për numërimin e votave të ardhura me vonesë nga diaspora ka bërë që të kontestohen disa vendime të mëparshme të Gjykatës Supreme.

Në mesin e tyre edhe ai i vitit 2017, kur pas vendimit të Supremes, Komisioni Qendror Zgjedhor është dashur ta ricertifikojë Zafir Berishën, edhe pse ai ishte i dënuar për vepër penale.

Si rezultat i atij vendimi të Supremes, KQZ-ja është detyruar ta ndalojë praktikën e deriatëhershme për verifikimin e kandidatëve që i hyjnë garës zgjedhore.

Sipas vendimit të Kushtetueses të publikuar të enjten, “kompetenca e konstatimit të jo-kushtetutshmërisë së një norme ligjore dhe shfuqizimit të një norme ligjore si të papajtueshme me Kushtetutën, është kompetencë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese”.

“Megjithatë, Gjykata ritheksoi fuqishëm se kompetenca e “konstatimit” të jo-kushtetutshmërisë së një norme ligjore dhe “shfuqizimit” të një norme ligjore si të papajtueshme me Kushtetutën, është kompetencë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese. Pra, përkundër faktit që Kushtetuta ua njeh gjykatave të rregullta kompetencën e interpretimit të një norme të rangut ligjor në harmoni me një normë të rangut kushtetues dhe/ose aplikimin e drejtpërdrejtë të normës së rangut kushtetues, kjo nuk do të thotë se gjykatat e rregullta mund të konstatojnë ose të shpallin një normë ligjore si normë në kundërshtim me Kushtetutën ose KEDNJ-në. Një kompetencë të tillë, të konstatimit të jo-kushtetutshmërisë dhe të shfuqizimit të një norme ligjore, Kushtetuta nuk e ka paraparë si kompetencë për gjykatat e rregullta. Një të drejtë të tillë, Kushtetuta ia ka mveshur në mënyrë ekskluzive vetëm Gjykatës Kushtetuese e cila mund, pas paraqitjes së kërkesës nga një palë e autorizuar sipas nenit 113 të Kushtetutës, të shfuqizojë një normë ligjore që është në kundërshtim me Kushtetutën si dhe të përcaktojë efektet e një shfuqizimi të tillë”, thuhet në vendim të Kushtetueses.

Monitoruesit e procesit të zgjedhjeve vlerësojnë se argumentimi i Kushtetueses mund ta rikthejë praktikën e KQZ-së e t’i eliminojë rastet si ai i deputetit Etem Arifi, i cili është në shqyrtim e sipër.

“Edhe pse nuk ka pas një vendim specifik për rastin e deputetit Berisha në rast se do të ndiqet e njëjta linjë e argumentimit nga Gjykata Kushtetuese, unë pres që të kthehemi te situata para vitit 2017 kur në radhë të pare KQZ-ja ka pasur të drejtë në verifikimin e kandidatëve përkatësisht decertifikimin e tyre duke u thirrur në nenin përkatës të ligjit për zgjedhje të përgjithshme i cili ua ndalon kandidatëve për deputet që të garojnë nëse të njëjtit janë të dënuar me vendim të formës së prerë në tre vitet e fundit”, ka thënë Eugen Cakolli, hulumtues në KDI.

Në anën tjetër, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vendimin e fundit të Kushtetueses duhet ta kenë parasysh të gjitha gjykatat e rregullta.

“Në rastet e tjera të ngjashme Gjykata Supreme duhet ta ketë parasysh se me kërkesa të njëjta nuk mund të vlerësojë edhe faktin nëse ligji është në përputhje me kushtetutën apo jo siç kishte bërë herëve të kaluara”, sipas Gëzim Shalës nga IKD.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim lidhur me rastin e deputetit Etem Arifi. Seanca për shqyrtimin e kësaj lënde pritet të mbahet ditëve në vijim.

“Seanca për shqyrtimin e kësaj lënde do të mbahet ditëve në vijim, pasi që Gjykata të trajtojë parashtresat shtesë që palët e përfshira në rast i kanë dorëzuar në formë të shkruar pas përfundimit të seancës dëgjimore të mbajtur më 2 dhjetor 2020 dhe pasi që të shqyrtohen të gjitha përgjigjet e pranuara nga Forumi i Komisionit të Venecias përkitazi me këtë çështje. Si edhe në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në vendim.

Vota e Arifit, e cila ishte kyçe në formimin e qeverisë Hoti, është kontestuar nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që ai edhe pse ka qenë i dënuar, është certifikuar në zgjedhjet e vitit të kaluar.