Arbëri

Seanca e radhës për ish-krerët e UÇK-së më 17 dhjetor

Gjykata Speciale ka vendosur që më 17 dhjetor të mbahet seanca e dytë statusore në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Sipas një njoftimi të publikuar në uebfaqen e Speciales, seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka kërkuar nga Prokuroria dhe Mbrojtja të dërgojnë parashtresat e tyre deri më 14, përkatësisht 15 dhjetor.

Më 26 tetor, ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte, ndërsa më 4 dhe 5 nëntor ata ishin arrestuar e transferuar në Hagë. Mes 9 dhe 11 nëntorit, ndaj tyre u mbajtën seancat fillestare.

Gjykata Speciale ka caktuar edhe konferencën e tretë të statusit në rastin e ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa. Data për mbajtjen e konferencës së tretë statutore është caktuar me 14 dhjetor, në orën 15:00.