Arbëri

Pacolli, pasi mori tenderin merr edhe meritat për Spitalin që e negocioi ish-presidentja Jahjaga

Deputeti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka marrë meritat për Spitalin e ri Pediatrik, që po ndërtohet në QKUK.

Kompania e Pacollit, “Mabetex”, kishte fituar tenderin në vlerë 22 milionë euro për ndërtimin e Spitalit, ndërsa donacionet për ndërtimin e këtij Spitali ishin siguruar qysh në vitin 2016 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Jam i lumtur ta prezantoj Spitalin e ri Pediatrik, në këtë kohë kur ai është shumë i nevojshëm, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërtimin e të cilit është duke e punuar kompania "Mabetex Medical". Kjo kompani është angazhuar, me të madhe që ky projekt të jetë ndër projektet më të kompletuara e më funksionale të llojit të vetë në Kosovë. Unë personalisht kam qenë i përfshirë në detaje, dhe jam krenar që Prishtina tani ka një spital me standard të lartë, ku fëmijët do të marrin kujdesin më të mirë të mundur. Një falënderim i madh shkon për donatorin, Fondacioni "Sheikha Fatima" nga Emiratet e Bashkuara Arabe me te cilin kemi punuar ngushtë në realizimin e këtij projekti madhështor”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Në vitin 2016, presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga, kishte treguar se ka nënshkruar marrëveshje ndërshtetërore në Abu Dhabi për ndërtimin e Spitalit për shërbime gjithpërfshirëse pediatrike e kirurgjike. Madje ajo kishte paraparë që të përfundohet ndërtimi në vitin 2018.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve. Ne të gjithë krenohemi me faktin se kemi rini por për fat të keq në Kosovë shohim shumë fëmijë që vdesin prej sëmundjeve. Duke parë këtë situatë dhe pamundësinë për të ofruar më shumë e kemi par të arsyeshme për të kërkuar ndihmën e partnerëve tanë. Dhe me këtë ndihmë do ta bëjmë spitalin më të mirë në rajon. Si grua, gruas i kam kërkuar ndihmën e Emirateve për ndërtimin e këtij spitali. Mbretëresha Fatima i ka kushtuar vëmendje të veçantë shëndetit dhe mirëqenies së nënës dhe fëmijëve, dhe nuk ka hezituar që ta na ofrojë ndihmë. Ky spital do të përfundojë në vitin 2018 dhe vlera e donacionit është 22 milion euro”, kishte thënë Jahjaga në vendosjen e gurthemelit të Spitalit në mars të vitit 2016.

Në nëntor të vitit 2018, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Uran Ismajli, kishte thënë se Spitali Pediatrik e Kirurgjik po merr formë dhe se do të përfundohet brenda 22 muajve. Por edhe ky afat është tejkaluar.

“Pas shumë vitesh zvarritje, objekti i Spitalit Pediatrik Kirurgjik ngadalë po merr formën e tij. Së bashku me përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe sot vizituam punimet të cilat po zhvillohen me intesitet të lartë që brenda 22 muajve të kemi një spital modern që do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë”, tha Ismajli.

Pritet të ketë punë edhe disa muaj derisa të kompletohet Spitali Pediatrik e Kirurgjik.

Image