3 perditesime
23:39

Hasani: Çështja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është pjesë e mjeteve frikësuese

Enver Hasani në Interaktiv të KTV-së ka folur për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse partitë politike nuk dakordohen për zgjedhjen e një presidenti.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha se pavarësisht nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, do të prodhohet rezultati i njëjtë nëse nuk ndryshohet pragu zgjedhor.

“Çështja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është po ashtu pjesë e mjeteve frikësuese bulliste. Shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme por afërsisht ky rezultat prodhohet, nuk ndryshon, nëse nuk ndryshon pragu zgjedhor. Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese i njëjti model, nëse nuk ndryshon pragu zgjedhor, të bëhet dy, atëherë e ke të konjuktuara plus-minus të cilat nuk vendosin fatin e organeve kushtetuese në Kuvend por kafeve e shtëpijave private. Kjo logjikë është kështu dhe çon në këtë. Por pas zgjedhjeve, problemin do ta kesh për ta formuar një organ nga fillimi sepse për t'u zgjedhur presidenti duhet tash të fillohen procedurat”.

Hasani ka thënë se kandidatura e Ramush Haradinajt për president të Kosovës është “bullizëm politik”, ndërsa ka bërë thirrje tek aktorët politikë të ndërpritet ky “bullizëm”.

 

23:25

Hasani: Kosova është bërë konflikt ndërkombëtar kur i ka ra NATO

Enver Hasani, ish-kryetar i Kushtetueses, në Interaktiv të KTV-së ka sqaruar se pse nuk cilësohet si luftë ajo që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1998-99.

Ai ka thënë se Kosova është bërë konflikt ndërkombëtar në momentin kur ka hyrë NATO.

“Ne duhet të gjithë të dallojmë dy çështje që janë fundamentale. E para: Në të drejtën ndërkombëtare publike qysh është sot, në asnjë libër të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Kinën, nuk do të gjendet ajo që dikur ka qenë e drejta e luftës. Që po themi se pse Kosova nuk kualifikohet si luftë. E drejta e luftës që dikur është quajt ashtu sot quhet e drejtë humanitare ndërkombëtare dhe i ka dy pjesë: e drejta për përdorim të forcës dhe e drejta ose ligji që përdoret në luftë që quhet konflikt i armatosur”, ka thënë Hasani.

Ai shton se Kosova ka qenë konflikt i armatosur dy lloj: i pari deri kur i ka ra NATO ka qenë konflikt i brendshëm i armatosur, asnjë relevancë nuk ka për të drejtën e Kosovës për vetëvendosje sepse ajo e drejtë për përdorim të forcës iu ka njohur UÇK-së pa asnjë diskutim.

“E drejta 'jus in bello', e drejta në luftë që nënkupton mënyrat dhe metodat e luftimit, ato janë të ndaluara qoftë në konfliktin e brendshëm qoftë në konfliktin ndërkombëtar. Kosova është bërë konflikt ndërkombëtar kur i ka ra NATO. Atëherë ka qenë luftë mes një shteti që atëherë ka qenë sovran dhe i pavarur dhe një koalicioni të shteteve. Domethënë 78 ditë ka qenë konflikt ndërkombëtar. Kjo që nuk quhet luftë kurrkund sepse nuk ka asnjë libër, asnjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe kështu me radhë që e quan si të tillë”, ka thënë Hasani. “Sot kjo është vulosur më 1977 me atë që i themi ne Protokolli i Dytë në Konventat e Gjenevës të vitit 49 që rregullojnë atë që dikur është quajtur e drejta klasike e luftës dhe ajo nënkupton mënyrat dhe mjetet e luftimit në konfliktet e brendshme të armatosura, dmth vrasja e civilëve, torturimi e plot vepra të tjera që i keni sot”.

Ai shton se janë "copy-paste" të bartura nga konventat e 49-s dhe 77-s që janë bartur në Ligjin për Gjykatën Speciale.

“Ky grup për dallim prej rasteve tjera po cilësohet si ndërmarrje e përbashkët kriminale me qëllim të përbashkët kriminal. Ai qëllim ka qenë një pjesë e një kualifikimi të ngjashëm ka qenë edhe për liderët e tjerë në territorin e ish-Jugosllavisë. Te ne minus përgjegjësia komanduese, sepse kjo përfshinë edhe periudhën e pasluftës”, ka thënë Hasani.

 

23:21

Hasani: “Vendimi i Kushtetueses nuk ish dashtë ta ndikojë Qeverinë”

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se pavarësisht nëse gjykata vendos se deputeti Etem Arifi nuk kishte mandat në momentin e votimit për krijimin e qeverisë, kjo nuk do të prodhojë efekt për vendimet e Kuvendit, përfshirë këtë të fundit për Qeverinë.

“Ajo është standard sepse shteti përgjigjet për organet. Nëse dikush ka pësuar dëm si pasojë e atyre vendimeve, individi apo personat juridikë, atëherë ekziston standard civilizues nëse mund të bëhet rikthimi në gjendjen e mëparshme bëhet, nëse nuk mundet, kompensimi, por ndjeken procedura të tjera. Përndryshe shteti merr përgjegjësi mbi vete për të gjitha organet”, tha ai.

“Vendimi nuk ish dashtë ta afektojë”, tha Hasani në Interaktiv të KTV-së nëse Qeveria Hoti do të prekej nga një vendim i Kushtetueses.

 

23:08

Hasani thotë se KQZ-ja nuk është dashur të përfshihet në çështjen e mandatit të deputetit Arifi

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin Interaktiv të Kohavisionit ka folur rreth vendimit potencial të kësaj gjykate dhe efekteve të tij në lidhje me votën e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti. Ftesën e Kushtetueses për KQZ-në, ai e ka quajtur të gabuar.

Kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për ta çuar në Kushtetuese çështjen e mandatit të Arifit, Hasani e quajti jo profesionale.

“Nga aspekti profesional, mendoj që kërkesa e Vetëvendosjes ka defekte serioze sa i përket edhe identifikimit të palëve si palë në procedurë. Ishte vendimi i Kuvendit me kërkesë vërtetimi nëse deputeti ka pasur mandat, mendoj që është gabim edhe në kërkesë që me emër të personalizohet ish-deputeti i Kuvendit. Në këto çështje nuk shtrohet vlerësimi i anës morale të votës së tij e as vlerësimit të votës së tij si e tillë”, tha Hasani.

Ka folur edhe për përfshirjen e Komisionit Qendror Zgjedhor, në krye me Valdete Dakën si palë për t’i dhënë argumentet e veta lidhur me çështjen e votës së Arifit.

“Unë mendoj që, ftesa për KQZ-në si palë e afektuar është e gabuar dhe involvimi i KQZ-së nuk është dashur të bëhet sepse pozita e KQZ-së përveç që mund të vërtetohet përmes akteve juridike, kushtetutës dhe ligjit mundtë vërtetohet edhe në bazë të letrave që ata i kanë prodhuar”, u shpreh Hasani.

Kujtojmë se pas seancës dëgjimore publike mbajtur këtë të mërkurën në Kushtetuese (më 2 dhjetor 2020), palët e përfshira në rast kanë afat që t’i dorëzojnë argumentet e tyre të prezantuara, në të shkruar, deri të hënën, më 7 dhjetor 2020.

Seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet në ditët në vijim, pas datës 7 dhjetor 2020.