Arbëri

Miftaraj: Kosova edhe vetë duhet t’i trajtojë të gjitha krimet e luftës e jo vetëm Gjykata Speciale

Miftaraj: Kosova edhe vetë duhet t’i trajtojë të gjitha krimet e luftës e jo vetëm Gjykata Speciale
 

Drejtori ekzekutiv në organizatën Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj në një intervistë për DW fokusohet tek rezultatet e hulumtimit të zhvilluar mbi rastet e gjykimeve të krimeve të luftës në Kosovë

- Z. Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi një hulumtim "Amnistia e Krimeve të Luftës në Kosovë”. Çfarë përmban ky raport, apo sa gjykime për krime lufte në Kosovë dhe Hagë janë zhvilluar pas luftës, cili ka qenë profili i të akuzuarve dhe etnia e tyre?

Miftaraj: IKD pas një hulumtimi disamujor publikoi raportin "Amnistia e Krimeve të Luftës në Kosovë” dhe në bazë të këtij hulumtimi, del se që nga viti 2000 deri në vitin 2008 UNIMK-u, misioni i OKB-së që ka qenë autoriteti për të trajtuar çështjet e krimeve të luftës, ka ngritur akuza ndaj 3 serbëve, 19 shqiptarëve dhe një malazezi. Pra për të gjitha këto raste misioni i UNMIK-ut ka arritur të dënojë vetëm një person për krime lufte që i takon nacionalitetit shqiptar. Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut bartja e përgjegjësive ka ndodhur tek misioni i Bashkimit Evropian EULEX, i cili ka funksionuar nga viti 2009 deri në vitin 2018, por që kompetenca ekzekutive ka pasur deri në vitin 2014. EULEX gjatë kësaj periudhe kohore kishte ngritur aktakuza për krime lufte ndaj 11 serbëve, 39 shqiptarëve, një malazezi dhe një personi nga komuniteti RAE. Nga viti 2014, kur këto kompetenca ishin transferuar tek autoritetet vendore, respektivisht tek Prokuroria Speciale e Kosovës, kjo prokurori ka arritur të ngrejë aktakuza ndaj 39 personave dhe deri në qershor të këtij viti nuk e ka pasur asnjë person të dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Pra, nëse e marrim si statistikë, del që për 20 vjet, që nga përfundimi i luftës, afërsisht 70% e personave të akuzuar dhe gjykuar për krime lufte janë shqiptarë të Kosovës, 20% serbë dhe 10% të etnive të tjera joshumicë.