Më shumë se një muaj nga takimi i fundit, i mbajtur në fund të tetorit, shefat e delegacioneve të dy shteteve pritet të takohen javën që vjen, më 10 dhjetor.
Këtë e ka konfirmuar të premten zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano. Por, me arsyetimin se është ende herët, Stano ka refuzuar të tregojë agjendën e këtij takimi.
“Mund të konfirmoj se ekziston mundësia që të kemi takimin në nivelin e krye-negociatorëve në Bruksel, të mërkurën e ardhshme. Ne gjithmonë e bëjmë të ditur agjendën afër datës së takimit”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së, raporton KOHA.
Në takimin e 29 tetorit palët kishin diskutuar për pretendimet financiare dhe pronësore.
Megjithatë, në horizont nuk duket një takim i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që nuk janë takuar që nga muaji shtator.
Ndonëse nuk kanë dhënë shumë detaje, nga Qeveria e Kosovës për mosmbajtjen e takimeve deri më tani kanë fajësuar situatën me pandeminë.
“Besoj që jeni në dijeni se, për shkak të valës së dytë të pandemisë Covid -19, Brukseli është komplet i mbyllur për takime. Tani për tani nuk ka asnjë datë të propozuar për takimet e radhës, sepse gjithçka po diktohet nga situata me pandeminë C-19. Përndryshe grupet punuese janë duke i vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike, sapo të krijohen rrethanat. Nuk ka asnjë pengesë tjetër. Takimi i fundit ka qenë me 29.10.2020”, tha Antigona Baxhaku, Zyra për Komunikim në Qeveri.
Por njohës të zhvillimeve rreth dialogut, nuk e pajtohen me arsyet e Qeverisë.
“Nuk besoj që ka qenë arsye pandemia apo diçka tjetër por specifikisht është këmbëngulja e Serbisë që ky asociacionit të implementohet me kompetenca ekzekutive”, tha Arbër Fetahu, hulumtues në GLSP.
E për dialogun të premten kanë folur edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e Kosovës.
Meliza Haradinaj dhe Gent Cakaj thanë se ndajnë qëndrimin e njëjtë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllen me njohje reciproke.
Por Haradinaj e Cakaj nuk kanë pranuar të tregojnë nëse janë pro kërkesës së shqiptarëve të Luginës, që çështja e shqiptarëve në Serbi të diskutohet në Bruksel.
“Sa i përket kërkesës se bashkëkombësve tanë për përfshirje në procesin e dialogut ju e dini që kjo kompetencë i takon kryeministrit të vendit dhe kjo duhet të trajtohet në kuadër të kompetencave të kryeministrit dhe këtu rezervohem prej qëndrimeve të mia individuale”, tha Meliza Haradinaj-Stublla, ministre e Punëve të Jashtme, Kosovë.
“I takon Republikës së Shqipërisë ta mbështesë platformën e Republikës së Kosovës në dialog, atë që ndodhet brenda kompetencës sonë dhe mundësive tona për të bërë më të mirën. Për mbrojtjen e qëndrimit të Republikës së Kosovës mund të siguroj se ka ndodhur gjithherë dhe do të vazhdoj të ndodhë”, tha Gent Cakaj, ministër i Punëve të Jashtme, Shqipëri.
Kryeministri Avdullah Hoti që nga marrja e detyrës ka deklaruar se nga dialogu me Serbinë synojnë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e njohjen reciproke.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.