Arbëri

IKSHPK-ja sërish me apel për respektim të masave: Pakujdesia na çon te shtimi i rasteve me fatalitet

Në ditën kur është shënuar rekord i vdekjeve nga COVID-19 në Kosovë brenda një dite, Instituti i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka përsëritur apelin që të respektohen masat.

IKSHPK-ja ka thënë se pakujdesia dërgon shumë shpejt te mbingarkesa e institucioneve shëndetësore dhe shtimi i rasteve fatale.

Në Kosovë në 24 orët e fundit janë shënuar 22 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19.

IKSHPK-ja ka përsëritur apelin që të vendoset maska, të mbahet distanca dhe higjiena.

“Mos e nënvlerësoni virusin! Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale. Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të pa përgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: MASKA, DISTANCA, HIGJIENA! Sot janë raportuat 22 raste te vdekjes. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë. Ky është numër rekord deri tani. Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

IKSHPK-ja ka shtuar se numri i rasteve vazhdon të jetë i lartë dhe është pasojë e drejtpërdrejt e neglizhimit të masave. Ka thënë se po vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve. Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjenci, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës”, thuhet nga IKSHPK-ja.