8 perditesime
18:22

Përfundon seanca, s’ka kuorum për rezolutën për personat me aftësi të kufizuara

Ka përfunduar debati parlamentar i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për personat me aftësi të kufizuara.

Ani pse gjatë tërë ditës kanë diskutuar, të zgjedhurit e popullit nuk kanë mundur të votojnë në fund rezolutën e iniciuesit të debatit, deputetit Fetah Rudi. Pasi, vetëm tridhjetë deputetë kanë qenë në sallë, kjo ka pamundësuar të hidhet në votim në seancën e sotme.

Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci bëri të ditur se e njëjta do të hidhet në votim nesër, pas seancës së jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

“Në mungesë të kuorumit për votim nesër pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshëm menjëherë do të hidhet për votim edhe kjo projekt-rezolutë”, tha ajo

18:02

​Deputetët përplasen se kush ka faj për mosmbështetje ndaj personave me aftësi të kufizuara

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përplasur verbalisht edhe gjatë debatit të sotëm parlamentar për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje fajtor kryesor për mungesën e angazhimit institucional për persona me aftësi të kufizuara janë ish-qeveritë e kaluara.

Deputetja e kësaj partie Fitore Pacolli iu drejtua iniciuesit të kësaj seance, deputetit Fetah Rudi që të ndryshojë grupin parlamentar, pasi sipas saj qëndrimi në sallë i vetëm pesë deputetëve të LDK-së tregon për mos mbështetjen karshi tij.

“Sa keni udhëheq me këto institucione, nëse hyn në këtë Kuvend, dekorimi dhe interieri i brendshëm është luksoz, por s’ka pas qasje. Është dashur të vijë një kryetare e re e Kuvendit me një mendësi tjetër për të mundësuar qasje për deputetin, i cili s’ka pasur si të hyjë. Faleminderit deputetit që e ka sjellë prapë këtë temë, se në qeverisjen e kaluara dhe ju deputetët e Kuvendit nuk mendoni. Por të mendonit, LDK do të kishte më shumë deputetë në këtë sallë dhe do të ishin përkrah deputetit të tyre. Mua më vjen keq, unë kam respekt për zotin Rudi, por ai është dashur të jetë në një grup tjetër parlamentar, jo këtë grupin ku nuk ka përkrahje prej këtij grupi, jo në grupin kur janë pesë deputetë kur diskutohet për çështje që e kanë përcjellë gjithë jetën e tij”, u shpreh Pacolli, raporton KSP.

Por, asaj i reagoi deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili i tha deputetes Pacolli-Dalipi se po thotë të pavërteta.

“Falënderoj Fetah Rudin, i cili nuk është deputet i pavarur, por i LDK-së që e ka shtruar këtë kërkesë për debat. Nuk është mirë për hir të respektit ndaj tij gjithë këto gjëra që u folën këtu dhe u thanë të pavërteta. Turp është kjo. Fetah Rudi edhe plumba ka hëngër për shkak të qëndrimeve të veta”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha duke iu adresuar fjalimit të deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, tha se partia e Albin Kurtit po ‘bën drama’ me idenë e popullzimit.

“Është shumë e lehtë të dilet me këso lloj dramash këtu dhe performancat në idenë e popullzimit. Është mirë të na tregoni se kush është kryeministër. Është shumë e lehtë ajo. Çka nuk është e lehtë, është ajo për realizimin e nevojave të këtyre kategorive pavarësisht se kush është në qeveri”, tha ajo.

16:40

Nagavci akuzon institucionet se po dështojnë t'i mbështesin personat me aftësi të kufizuara

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka adresuar kritika ndaj institucioneve të Kosovës për mos mbështetje ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Deputetja e LVV-së, në foltoren e Kuvendit, gjatë debatit të sotëm parlamentar për personat me aftësi të kufizuara, tha se ekzekutivi po dështon në përkrahje të këtyre të fundit.

“Institucionet tona po dështojnë sa i përket personave me nevojave të veçanta dhe mbështetjes për familjet e tyre. Nuk e kanë as idenë se çfarë gjendje janë personat me nevoja të veçanta dhe jo vetëm që nuk i njohin nevojat e tyre, por nuk bëjnë asgjë për ta”, tha ajo.

Krahas kësaj, e dyta e Kuvendit tha se do të propozojnë amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm të rritet numri i asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Edhe këtë vit sikur legjislaturën e kaluar do të paraqesë amendamente për të rritur numrin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe stafit mbështetës dhe profesional në institucioneve arsimore”, tha ajo.

13:36

Zemaj: Planifikohet që pajisjet për personat me nevoja të veçanta t’i mbulojë shteti

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ka ende shumë për t’u bërë në respektimin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta.

Në seancën e Kuvendit që u diskutua për këtë çështje, ai tha se për herë të parë planifikohet që pajisjet që shërbejnë për lëvizje, për këtë kategori, të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Këtu ai ka përmendur draft-udhëzimin që ka hartuar Ministria e Shëndetësisë në shtator të këtij viti, për përcaktimin e listës dhe llojet e pajisjeve falas për personat me nevoja të veçanta.

Sipas tij, shumë shpejt i njëjti do të shkojë për aprovim në Qeverinë e Kosovës, transmeton KP.

“Për herë të parë planifikohet që për këtë kategori të qytetarëve tanë të Kosovës pajisjet që shërbejnë për lëvizje, parandalim e asistim të mbulohen nga shteti, përmes buxhetit të Republikës së Kosovës. Ju njoftoj se bazuar në legjislacioni në fuqi të gjithë qytetarët që e kanë statusin e personit me nevoja të veçanta lirohen nga participimet me pagesë në institucionet shëndetësore publike, në të gjitha nivelet për shërbimet që marrin”, ka thënë Zemaj.

Zemaj tha se ka ende shumë për të bërë në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, duke theksuar faktin që ende mundojnë shërbimet rehabilituese.

12:40

​Reçica: Institucionet përgjegjëse për garantimin e të drejtave për personat me nevoja të veçanta

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se në Kosovë janë rreth 200 mijë persona me nevoja të veçanta, shumë prej të cilëve presin përfshirje të barabartë në shoqëri.

Ai tha se për mirëqenien e tyre duhet të punohet më shumë, pavarësisht që ka pasur disa arritje në këtë drejtim.

“Gjendja e tanishme e personave me aftësi të kufizuar nuk përmbush realizimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore në kushtet e barabarta me të tjerët, andaj si rrjedhojë të gjitha institucionet dhe shoqëria në përgjithësi janë përgjegjëse për garantimin e kësaj të drejte, e cila arrihet vetëm duke eliminuar çdo lloj pengese që krijon vështirësi në respektimin e parimit të mos-diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuar”, tha ai, përcjell ksp.

Reçica tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e programeve të mbështetjes financiare për këtë kategori.

“Sfidë për angazhimin e personave me aftësi të kufizuar në punë të rregullt është edhe ligji për zyrtarët publik sepse nuk parasheh ndonjë dispozitë të veçantë për personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë të afirmimit të të drejtave të tyre në kushte të barabarta për punësim në institucionet e administratë shtetërore. Përveç kësaj, sfidë tjetër mbetet infrastruktura e institucioneve për qasje më të lehtë të personave me aftësi të kufizuar në objekte zyrtare”, tha ai.

11:59

Uka: Deputetë të kësaj legjislature kanë votuar kundër asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta

“Asnjë nevojë e veçantë nuk mund ta definoj një person, secili person është unik dhe ata i definon vetëm puna dhe angazhimi i tyre. Por nevojat e veçanta mund ta bëjnë të vështirë jetën e një personi prandaj duhet mbështetja e të gjithëve për ta mundësuar këtë rrugëtim të tyre, jo vetëm këtë ditë por secilën ditë të tyre”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka në seancën e sotme ku ka filluar debati për personat me nevoja të veçanta.

Uka theksoi se megjithëse legjislacioni ua mundëson shkollimin dhe punësimin, “qeveritë e dobëta e të pandjenja, përfshirë disa deputet që ende janë edhe në këtë legjislaturë e që flasin në këtë debat, kanë votuar kundër asistentëve nëpër shkolla për personat me aftësi të veçanta”.

“Duhet më shumë punë e më pak fjalë, më shumë mbikëqyrje e zbatim të legjislacionit edhe në punësim, pasi ligji thotë që për 50 të punësuar një duhet të jetë me nevojat të veçanta. Qeveria po vazhdon ta neglizhoj si sektorin privat si atë publik në këtë pikë”, tha Uka.

Në fund të fjalës së tij, duke iu referuar prezencës së Driton Selamanajt në Kuvend, Uka tha se për shkak të respektit për personat me nevoja të veçanta po përmbahemi duke ia rikujtuar thjeshtë që ai tashmë është i padëshiruar në këtë Kuvend.

11:49

Rudi: Kuvendi të ofrojë qasje për personat me aftësi të kufizuar

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, deputeti Fetah Rudi ka iniciuar debat parlamentar për të diskutuar rreth të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe zbatimit të tyre.

Në fjalën e tij para deputetëve, ai përmendi faktin që për një vit është ngjitur në sallën e seancave plenare me ndihmën e zyrtarëve të Kuvendit, meqë institucioni ligjvënës nuk kishte ofruar qasje të lehtë në objekt për personat me aftësi të kufizuar, raporton ksp.

Por tani në Kuvend po përfundon puna e vendosjes së liftit për qasje për përdoruesit e karrocave, për në hapësirat e sallës së Kuvendit ku mbahen seancat plenare. Për këtë Rudi ka falënderuar kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin.

“Një falënderim të veçantë e kam për të gjithë ata zyrtarë e punëtorë që për një vit rresht më bartën shkallëve për të ardhur në Kuvend. Vendosja e këtij lifti po bëhet për mua por do t’i shërbej Kuvendit dhe personave me aftësi të kufizuar që në legjislaturat e ardhshme do të jenë deputetë, kryetar Kuvendi, president, kryeministra e ministra. Nga mungesa e deritanishme e këtij lifti mësuam se Kuvendi duhet t’i rishikoj ligjet për t’i hequr burrokracitë ligjore. Ndërsa të gjithë ne si deputetë, qeveria dhe zyrtarët duhet të veprojnë me kohë që të rregullohet qasja e personave me aftësi të kufizuar se edhe ashtu është obligim ligjor”, tha ai.

Ai tha se duhet rregulluar edhe hapësirat brenda sallës në mënyrë që objekti të jetë i qasshëm për personat me aftësi të kufizuar.

Rudi u ka bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin veprimet e duhura për t’u ofruar qasje personave me aftësi të kufizuar, në të kundërtën po bëjnë diskriminim.

Ai ka prezantuar edhe një rezolutë, të cilën u ka kërkuar deputetëve që ta votojnë në përfundim të debatit të sotëm.

11:19

Osmani: Kemi bërë jashtëzakonisht pak për personat me nevoja të veçanta

Në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për drejtat e personave me nevoja të veçanta, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se 3 dhjetori është ditë për të kuptuar sa është dëshmuar e gatshme shoqëria kosovare për të përfshirë këtë kategori në të gjitha organizimet në vend.

Osmani tha se Kosova ka bërë jashtëzakonisht pak në garantimin e një jetë të dinjitetshme për personat me nevoja të veçanta.

Para disa mysafirëve, personave me nevoja të veçanta dhe deputetëve të Kuvendit që ishin pak në numër që kishin vendosur të marrin pjesë në seancë, Osmani tha se personat me nevoja të veçanta janë një potencial i jashtëzakonshëm, veçse duhet t’u ofrohen mundësi e të drejta të barabarta.

“Mesazhi i qartë për të gjithë ne këtu është që kemi bërë pak, kemi bërë jashtëzakonisht shumë pak për t’u garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë, dhe ndryshe nga çdo komunitet tjetër, aftësia e kufizuara tejkalon të gjitha identitetet, gjininë, racën, klasën socio-ekonomike, fenë, kombësinë, çdo çështje, prek jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara, shpesh në margjina shumë më të mëdha sesa grupet tjera. E sidomos këtë vit, problemet e lindura gjatë pandemisë po prekin në mënyrë disproporcionale personat me nevoja të veçanta, përfshirë këtu sfidat e qasjes në kujdesin shëndetësor, impakti në shëndet i virusit Covid-19, qasja në arsim dhe papunësia tepër e lartë”, tha ajo.

Ajo shtoi se shteti i Kosovës ende nuk ka të dhëna për numrin e personave me nevoja të veçanta që jetojnë në Kosovë.

E sipas kryetares së Kuvendit, pa statistika nuk mund të ketë politika të mirëfillta.

08:21

Sot Kuvendi me seancë të veçantë kushtuar personave me aftësi të kufizuar

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, e cila u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies si dhe rritja e ndërgjegjësimit.

E me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, HANDIKOS mban Konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë.

Ndërkaq me këtë rast do të mbahet edhe seancë e veçantë në Kuvendin e Kosovës.

Rend dite e seancës është “Debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”.

Seanca do të filloj në ora 10:00.

Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Aftësi të Kufizuar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ambasadori britanik Nicholas Abbott dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje.