Arbëri

Zvarritja e lëndës nga gjykata lë në rrezik banorët e një ndërtese në Fushë- Kosovë

Në mesin e disa ndërtesave në rrugën “Kadri Minushi” në Fushë-Kosovë gjendet edhe një objekt afarist-banesor, i cili ka nisur të ndërtohet në vitin 2012, por akoma nuk është përfunduar.

Kabllo elektrike të lëna jashtë, mungesë të dyerve, punë të vrazhda të papërfunduara, janë vetëm disa nga sfidat me të cilat po përballen 6 familjet që jetojnë në këtë objekt. Madje, disa prej kateve të larta nuk janë as të lyera. Bashkëpronarja e objektit, Mirora Dedi, thotë se ndërtimi është dashur të përfundonte brenda një viti, por ndërtuesi, sipas saj, nuk e ka zbatuar marrëveshjen. Për këtë shkak Dedi tregon se e ka paditur ndërtuesin në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por ankohet se ka më shumë se pesë vjet që ky institucion nuk e ka trajtuar lëndën.

“Ky objekt ka mbetur kështu i papërfunduar për shkak të mosrespektimit të kontratës nga ndërtuesi, kontratë e cila ka qenë njëvjeçare dhe është dashur të përmbyllej para 7 vjetëve dhe ka 5 vjet e gjysmë që lënda është në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ende nuk jemi thirrur në seancë nga gjykata”, thotë Dedi. Ajo shton se zvarritja e lëndës në gjykatë lë hapësirë për mashtrime në objektin e papërfunduar, kurse jetën në këto kushte e vlerëson të rrezikshme për banorët. Jetesën në kushte të tilla e ka përshkruar si të vështirë e të rrezikshme njëra nga banoret, e cila ka kërkuar të mos i zbulohet identiteti. "Më duket se banoj këtu qe 100 vjet. Kushtet janë tmerrësisht të këqija, rrymën e kemi direkt të lidhur, kohë pas kohe e ndal KEDS-i. Organizohemi si banorë dhe e bëjmë pagesën jashtë që të na lidhet sërish në të zezën njëjtë. Është e rrezikshme, nuk ka gilindera shkallëve, lifti nuk është funksional, është terr, papastër, mbeturina", tregon kjo banore, e cila thotë se shpesh objekti i tyre është cak i hajdutëve. “Ka pasur raste që prej hajnave janë vjedhur materiale të ndryshme. Kam pasur rast edhe unë kur më është vjedhur motori i ujit”, përfundon banorja.

Për punët e papërfunduara e hallet e banorëve nuk ka dashur të flasë Mustafë Mustafa, pronar i kompanisë “Ndërtimi”, e cila është e angazhuar për ndërtimin e objektit. Mustafa i ka thënë KOHËS që mos ta thërrasë më, pasi ka vlerësuar se kjo është çështje private e tij.

Ka disa javë që KOHA ka pyetur Gjykatën Themelore se çfarë ka ndodhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje. Gjykata nuk ka ofruar të dhëna as për numrin e lëndëve të kësaj natyre që ka në trajtim.

Zvarritja me vite e lëndëve nëpër gjykata, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është mesazh i keq për investitorët. Miftaraj thotë se zgjidhje e mirë për shkarkimin e Themelores në Prishtinë nga numri i madh i lëndëve do të ishte hapja e degës së saj në Fushë-Kosovë, gjë të cilën, sipas tij, Këshilli Gjyqësor tash e 5 vjet ka dështuar të bëjë.

"Kjo mungesë e vullnetit, ky keqmenaxhim i Këshillit Gjyqësor ndikon që Prishtina të stërngarkohet me lëndë. Kjo pa dyshim që do të kishte ndikim pozitiv nëse do të formohej dega në Fushë-Kosovë. Në rastet kur kemi të bëjmë me ankesa të qytetarëve mund të jetë kontest civil që hyn në kuadër të procedurës kontestimore dhe sigurisht që pastaj trajtohet nga dega e Gjykatës Themelore në Fushë-Kosovë, nëse formohet", ka deklaruar Miftaraj.

Në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare thonë se siguria ligjore është një nga gjërat e para që pyesin kompanitë gjermane kur duan të investojnë në Kosovë. “Vetëm vitin e kaluar i kemi pasur 6 kompani gjermane që kanë investuar në Kosovë dhe pa dyshim që pyetja kryesore që kanë për ne është: Sa është i sigurt investimi në Kosovë? Sa zbatohen kontratat? A i keni gjykatat efikase? Sa duhet të pritet për lëndë? Kështu që, duke pasur përvojën që kemi me kompani direkte, të cilat interesohen për të investuar, gjithmonë komponentë e rëndësishme është efikasiteti i gjykatave", ka thënë Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Të rëndësishme për komunitetin e biznesit Hasani e sheh themelimin e Gjykatës Komerciale e cila, sipas saj, do të duhej të rekrutonte gjyqtarë që i njohin mirë sektorin e ekonomisë dhe problemet e bizneseve. Ministria e Drejtësisë ka kohë që ka nisur përgatitjet për themelimin e kësaj gjykate, por procedurat për jetësimin e këtij institucioni akoma nuk kanë përfunduar.