Hulumtuesi i Institutit GAP, Jeton Mehmeti, ka folur për rekrutimin jomeritor në institucionet publike.
Ai në Express të KTV-së ka thënë se partitë politike kanë ndikim shumë të madh në rekrutimin e personave në pozita që do të duhej të emëroheshin njerëz meritorë e të kualifikuar.
Sipas tij, kjo ka bërë që njerëzit ta humbin besimin në institucionet publike.
Mehmeti thotë se sipas pulsit publik 80 për qind e qytetarëve mendojnë që punësimi në sektorin publik bëhet pa meritë.
“Kjo nënkupton që gjatë 20 viteve punësimet e tilla në masë të madhe kanë ndikuar te besimi i qytetarëve. Përkundër asaj që në publik proklamohet se partitë në pushtet do ta instalojnë meritokracinë, përkundrazi faktet po tregojnë që një gjë e tillë nuk po ndodhë. Sidomos në pozitat e larta tregojnë se emërimi po bëhet me ndërhyrje të thella politike, ku partitë në pushtet shtyjnë kandidatët e vet dhe njerëzit me merita lihen anash”, shprehet ai.
Mehemti thotë se kjo ndikon edhe në performancën e institucionit. Sipas tij në momentin që instalohen njerëz që nuk janë të denjë për këto pozitë, atëherë shërbimet nuk janë të mira.
Ai thotë se bëhet fjalë për disa ndërmarrje publike, ndër to janë Posta e Telekomi.
Sipas tij, ndërhyrja e palëve të treta garanton në transparencë më të madhe.
“Në rastin e fundit kur Ambasada Britanike ka mbështetur një prej proceseve, atë të zgjedhjes së komisionerit në agjencinë shtetërore për qasje në dokumente publike, ambasada ka thënë se është herë e tretë që e mbështetë, po ofrojnë kandidatë të suksesshëm dhe Kuvendi nuk po i mbështetë. Kjo është vetëm një shembull që ka ndodhur viteve të fundit. Sipas vlerësimit që është bërë nga Ambasada britanike, 40 për qind të rasteve nuk janë marrë parasysh këshillat e ambasadës”, ka thënë ai.
Mehmeti vlerëson se situatat e tilla janë për keqardhje. Sipas tij këto procese janë të shtrenjta, duke shtuar se në 4 vitet e fundit Ambasada Britanike ka shpenzuar 2 milionë euro.
Megjithatë, sipas tij, politikanët anashkalojnë komplet këto këshilla duke emëruar njerëz të pakualifikuar.
Ai thotë se është për t’u habitur se si deputetët arrijnë konsensus të votojnë kandidatët të cilët nuk e meritojnë atë vend pune. Mehmeti ka thënë se mbikëqyrje dhe vullnet e guxim të vendimmarrësve për t’i larguar njerëzit që nuk i meritojnë ato pozita në të cilat emërohen.