Arbëri

Një familje nga Kosova sfidon shtetin gjerman në lidhje me COVID-19

Gazeta e madhe gjermane “BILD” ka shkruar të mërkurën për hallet e shtetit gjerman me një familje të madhe kosovare, pasi anëtarë të kësaj familjeje refuzuan të kryejnë testimin për COVID-19.

Në familjen I., 30-anëtarëshe, u paraqitën disa raste pozitive me COVID-19. Autoritetet shëndetësore urdhëruan testimin e të gjithë anëtarëve të familjes, por pasi disa refuzuan testimin, u detyrua edhe thirrja e Policisë. Madje, siç shkruan “BILD”, është kërkuar edhe ndihma e forcave speciale nga Luneburgu i Gjermanisë veriore.

Situata kishte eskaluar pasi gjatë përpjekjeve të autoriteteve për testim të të gjithë anëtarëve të familjes, një burrë ishte përpjekur të ikte, me dëshmitarët që raportojnë se kishte kërcyer nga kati i parë.

Katër shtëpitë dhe apartamentet e kësaj familjeje janë duke u ruajtur nga forca sigurimi qe tetë ditë.

“BILD” madje ka folur me një anëtare të kësaj familjeje. Gruaja, rreth të 40-ave, kishte konfirmuar se “të gjithë e kemi koronën, por vetëm të rriturit po vuajnë”.

“Fëmijët janë mirë, unë kam mbetur e shtrirë për dhjetë ditë, ndërsa burri është dashur të shkonte në spital”, ka thënë ajo.

Të martën Qarku i Luneburgut njoftoi për 87 raste të reja me Covid. Prej tyre 30 raste në familjen kosovare.

Shpenzimet për të mbajtur nën kontroll familjen kosovare i bartin taksapaguesit e shtetit gjerman.