Arbëri

Rifillojnë gërmimet në Kizhevak

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka njoftuar se pas rifillimit të gërmimeve në Kizhevak, përfaqësues nga Delegacioni i Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë vizituar lokacionin e varrezës masive.

Hoti ka bërë me dije se gërmimet në këtë lokacion do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke shtuar se ekspertë mjekoligjorë do të jenë prezent deri në përfundim të procesit.

“Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm deri në përfundim të procesit, në përputhje me praktikat mes dy delegacioneve”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, kishte deklaruar javë më parë në Express të KTV-së se pandemia e COVID-19 dhe moti i keq ka ndikuar negativisht në gërmime të varrezave. Ai kishte shtuar se mbetjet e gjetura, do të konservohen dhe do të jenë në mbrojtje të policisë.