Arbëri

Paralajmërohet përfundimi i gjysmëvjetorit të parë shkollor më herët se që ishte planifikuar

Gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor mund të përfundojë më herët se që ishte planifikuar. Këtë e ka paralajmëruar ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj, raporton Ekonomia Online.

Zemaj ka thënë se kjo do të bëhet për të lehtësuar situatën me gripin sezonal dhe Covid-19. Ai ka thënë se për këtë çështje dhe masat e reja do të diskutohet gjatë ditës së sotme.

“Sot do të ulemi pasdite dhe do të shohim për mbarëvajtjen e aktiviteteve shkollore, të shkurtohet gjysmëvjetori i parë, dhe ta lehtësojmë këtë pjesën me gripin sezonal edhe me Covid”, ka thënë Zemaj gjatë një aktiviteti ku janë pranuar një sasi e vaksinave kundër gripit sezonal.

Për masa tjera ai ka thënë se do të vazhdojnë me ato të mbylljes pas orë 19:00, në komunat që janë në zonë të kuqe, dhe se vendimet tjera do të jenë të varura prej situatës.

Zemaj po ashtu tha se festa e mbrëmshme e VV-së pas fitores në Podujevë, ka qenë sfiduese për Policinë dhe Inspektorin Sanitar, raporton Ekonomia Online.

Madje ai thirrjet për festë dhe grumbullim të qytetarëve i ka quajtur të pamoralshme dhe jo etike.

Sipas të parit të Shëndetësisë në vend me këtë rast është rrezikuar shëndeti publik.

“Ju e dini që dje edhe me Inspektoratin kam vizituar qendra të Votimit në Podujevë dhe Mitrovicë të veriut. Atje pa pasur respektim të masave anti-Covid. Edhe në orët e pasdites kemi bë thirrje që masat të respektohen, nuk është vetëm fitorja është edhe shëndeti në pyetje. Ato pamje kanë qenë sfidues për Policinë edhe për Inspektoratin, ishin të pamoralshme dhe jo etike kjo ishte rrezik për shëndetin publik”, tha Zemaj.