Arbëri

Zemaj: Sigurimi pa pagesë i vaksinës anti-Covid, obligim ligjor

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se është obligim ligjor të sigurohet vaksina anti-COVID pa pagesë për qytetarët.

Sipas tij, një pjesë prej 20 për qind është siguruar falas, ndërsa pjesa tjetër duhet të blihet nga shteti.

“E kemi obligim ligjor që ta sigurojmë pa pagesë. Duhet ë sigurohet pjesa e konsiderueshme nga buxheti i shtetit. Kryeministri Hoti është duke u kujdesur që të na ndihmojë në këtë proces në komunikim me vendet e BE-së, por kemi edhe aktivitete të brendshme që t’i zhvillojmë si ministri e Shëndetësisë, qoftë me OBSH-në dhe me partnerë tjerë për sigurimin e vaksinës. Një pjesë 20 për qind është e siguruar falas dhe pjesa tjetër duhet të blihet”, ka thënë Zemaj për Ekonomia Online.

Ai po ashtu ka thënë se duhet të bëhet sigurimi i kostos, që të fillohet sa më shpejt me ndërtimin e spitalit anti-COVID.

“Procedurat janë ligjore pavarësisht situatës në të cilën po kalojmë. Në momentin kur plotësohen kushtet edhe ato që kanë të bëjnë me infrastrukturën me ligjet në fuqi, procedurat tenderuese unë do të japë përkrahje ashtu siç i kam dhënë këtij procesi. Orientimi ynë është që të fillojmë sa më shpejt, duhet të bëhet sigurimi edhe i kostos dhe shumë shpejt besoj do të fillojmë edhe me këtë proces”, ka shtuar Zemaj.

Ai tha se aktualisht ka shtretër të mjaftueshëm, duke shtuar se ka edhe klinika rezervë në rast të rritjes së numrit të infektuarve.

Madje, i pari i Shëndetësisë shtoi se janë të furnizuar mjaftueshëm edhe me barna nga donacione të ndryshme.

“Zgjerimi i kapaciteteve me shtretër ka qenë punë e vazhdueshme që ka bërë shërbimi spitalor klinik universitar i Kosovës. Ministria e Shëndetësisë edhe në këtë aspekt është kujdesur që të shtojë kapacitetet edhe përmes blerjeve edhe përmes donacioneve. Primare është sigurimi i shtretërve. Aktualisht kemi shtretër të mjaftueshëm ka dhe klinika rezervë të cilat po i mbajmë në rast të rritjes së numrit të rasteve spitalore por sigurisht me kujdes të shtuar që numri të ulet dhe të vihet nën kontroll edhe situata nëpër spitale dhe të mos kemi nevojë të shtretër shtesë”, tha Zemaj.“Menaxhimi ka një dinamikë të re sepse edhe njohuria me virusin ishte në faza të ndryshme qoftë ajo e izolimit por edhe me hapjen e kontrolluar që ne po e menaxhojmë. Tash kemi kaluar në një nivel tjetër të menaxhimit të situatës, zgjerimi i kapacitete humane, punësimi i shumë mjekëve profesioneve shëndetësor në shumë fusha e ka ndihmuar në masë të madhe menaxhimin e kësaj situate. Furnizimi më i mirë edhe për shkak të rritjes së numrit me barna qoftë nga donacione të ndryshme dhe pjesa tjetër rritja e numrit të testimeve i ka mundësuar IKSPK-së edhe neve që të identifikojmë vatrat e infeksionit dhe për këtë arsye edhe është numri më i rritur por është më i lehtë për të menaxhuar situatën për tu përballur me virusin”.

Sipas Zemajt, ka teste të përdorimit antigjen rapide, dhe do të shihet mundësia e përdorimit të tyre sipas nevojës së qytetarëve.

“Ka teste të përdorimit antigjen rapide. Sigurisht në bazë të nevojave do të shohim ku mund të përdoren dhe si mund të përdoren dhe sa mund të ndihmojnë. E mira e kësaj është që komunat mund të fillojnë këtë aktivitet i kanë kapacitet në QKMF dhe mund të kenë prioritet të testimeve të shpejta”.

Ai ka thënë po ashtu se prioritet e ka pasur edhe mbajtjen e të gjithë të rinjëve në Kosovës. Ai ka thënë se shkaku i neglizhencës së institucioneve shumë mjek janë larguar nga vendi viteve të fundit, pasi nuk i është ofruar mundësia qoftë e specializimeve apo e studimeve bazike apo edhe avancimeve profesionale në Kosovë.