Arbëri

MI-ja kishte njoftuar për vizitën e Abrashit pesë ditë me vonesë

Autoriteti i Aviacionit Civil ka sqaruar se vizita e Ministrit Arban Abrashi në Aeroportin e Kosovës e raportuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës se ka ndodhur më 10 nëntor, është realizuar më 5 nëntor, katër ditë pasi ai të futej në izolim për COVID-19.

Abrashi me njoftimin që kishte publikuar të premten, kishte nxitur reagime se vetëm nëntë ditë pas izolimit kur kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 kishte dalë jashtë. Më pas, i njëjti në rrjete sociale kishte thënë se në fakt, nga data 9 ishte në izolim.

E sipas sqarimit të AACK-së, vizita bashkë me ministrin Abrashi është realizuar ditë më herët, konkretisht pesë ditë më herët se komunikata zyrtare e lëshuar nga faqja e MI-së.

Më tej, thuhet se për shkak të zhvillimeve me arrestimet nga Gjykata Speciale atë ditë, komunikata nuk është publikuar menjëherë, por pesë ditë më vonë.

“Vizita është bërë së bashku me Ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi. Vizita ishte planifikuar shumë më herët dhe është realizuar më datën 5 nëntor 2020. Sidoqoftë, në bashkëpunim më Zyrën për Informim të Ministrisë se Infrastrukturës lajmi për vizitën nuk është publikuar atë ditë duke pas parasysh ngjarjet që ndodhën po atë ditë lidhur me gjykatën speciale dhe pritjen e fluturimeve speciale”, ka komunikuar AACK.

Lajmi për vizitën ishte publikuar edhe pse me vonesë, sipas AACK-së, për qëllim të informimit të publikut se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është duke i zbatuar masat mbrojtëse për përhapjen e COVID-19 dhe se Autoriteti i Aviacionit Civil është duke monitoruar zbatimin e këtyre masave.

Arban Abrashi, më 18 nëntor kishte njoftuar se është infektuar me koronavirus, pa dhënë detaje të tjera nëse ka qenë apo jo në izolim më herët.

Më 27 nëntor, në Facebook njoftoi se kishte marrë pjesë në punime në asfaltimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, e nga aty ishte bërë pjesë e fushatës së LDK-së për zgjedhjet në Podujevë.

Më 10 nëntor, në faqën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, njoftohet se Abrashi ka vizituar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që të shtunën, më 28 nëntor, Autoriteti i Aviacionit thotë se vizita është realizuar pesë ditë më herët por që vetëm më të 10-tin është publikuar.