Publicisti dhe politikani nga Kosova, Veton Surroi, shprehet se kjo periudhë ballafaqimi me të kaluarën nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime dhe hesape politike.
Duke u ndalur te vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit që i hoqi atij titullin “Qytetar Nderi”, titull i dhënë në vitin 2015, Surroi u shpreh se u befasua nga lajmi që mori.
Ai tha se në kohën kur ka shkruar për UÇK-në, ata që morën vendimin sot nuk e dinin se çfarë ishte kjo lëvizje, ndërsa shtoi se “ky është një vendim i çuditshëm që u ngjasonte gjykimeve politike gjatë kohës së komunizmit sesa një bashkie në kohën e demokracisë”.
ABCNews: Jeni njohur me vendimin e Këshillit të Qarkut të Kukësit në lidhje me heqjen e titullit?
Surroi: Jam njohur edhe me atë edhe me pezullimin.
Si e morët vesh?
Më informuam miqtë që e kishin lexuar në portale dhe miqtë e mi në Kukës.
Si u ndjeve, cila ishte ndjesia e parë, çfarë mendove?
I befasuar. Pastaj desha të shihja se për çfarë bëhej fjalë dhe dëgjova një pjesë të debatit që ishte zhvilluar në Këshillin bashkiak dhe më la një shije të keqe të një gjykimi politik. U mor një vendim i çuditshëm që u ngjasonte gjykimeve politike gjatë kohës së komunizmit se një bashkie në kohën e demokracisë.
Mendoni se e kanë keqinterpretuar deklaratën tuaj me rolin që ka pasur UÇK-ja në luftën për ta çliruar Kosovën?
Çka kam deklaruar unë është publike, nuk ka nevojë për veprime hetimore, janë të shkruara, ka mbi 20 vjet qëkur kam shkruar unë për UÇK-në. Disa prej tyre nuk e kanë ditur çfarë është UÇK-ja. Një këshill bashkiak që merret, nuk besoj se ka kualifikim të mjaftueshëm për të bërë vlerësime historike dhe nuk besoj se është puna e tyre. E tejkalon pak edhe kontekstin edhe kohën.
A jeni interesuar përse u mor ky vendim tani?
Nuk e di. Këshilli Bashkiak që më nderoi, falënderoi qytetarët e Kukësit. Ky këshill dhe kryetar flasin më shumë për nderin e tyre me këto veprime. Nuk mund të hyj në pse-të e tyre.
Ju i njihni personalisht ndonjë nga anëtarët apo kryetarin bashkiak aktual?
Jo. Për herë të parë kam marrë vesh për mbiemrin e zotit Gjici. Nuk kam ditur për këtë person.
Ju ka kontaktuar më pas dikush nga bashkia apo Gjici?
Jo, nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë të kontaktojë.
Me kryeministrin Rama keni shkëmbyer komunikim pas kësaj furtune në gotë?
Jo, kam parë reagimin e kryeministrit dhe e falënderoj publikisht.
Ju e quani çështje të mbyllur?
Para 60 vjetësh, Çërçill thoshte se Ballkani konsumon më shumë histori sesa mund të konsumojë. Sot trevat shqiptare prodhojnë më shumë skandale sesa mund të konsumojnë brenda një dite.
Kjo është në vazhdën e këtij perifrazimi?
Si duket po.
Mendoni se në këtë situatë të tensionuar të Kosovës dhe si po qaset Shqipëria pas thirrjes në Hagë të liderëve të UÇK-së, do të fillojë dhe do të kemi shumë keqkuptime të kësaj natyre apo luftëra të tilla të vogla personale me individë konkretë në të ardhmen?
Nuk e di, por ideja që një këshill bashkiak merret me historinë, besoj se nuk e ndihmon historinë dhe as këshillin bashkiak. Mendoj se është me rëndësi, meqenëse do të kemi një periudhë të ballafaqimit me të kaluarën, të mos shfrytëzohet për qëllime dhe hesape politike. Në Shqipëri është nxitur një atmosferë që do të identifikojë gjoja shkaktarët e gjykimit dhe Gjykatës speciale. Mendoj se nuk u bën nder as forcave politike në Shqipëri, as mbarëvajtjes, as idesë së ballafaqimit me të kaluarën me të cilën do të afrohemi dhe jo do të largohemi. Do të bashkëdyzojmë mendimin dhe të krijojmë një histori transformative dhe jo një histori konfrontimi të vazhdueshëm.
Më jep një opinion, çfarë pritet që të ndodhë në Kosovë dhe si e gjykoni atë që po ndodh me luftën e UÇK-së, por edhe liderët që ndodhen në Hagë? Ka pasur nga ata faktorë që e kanë vendosur gishtin si liderët e Kosovës e kanë trajtuar njëri-tjetrin, pak mbështetje dhe shumë përçarje?
Çfarë do të ndodhë në Kosovë nuk mund të them, por mund të them se është koha kur duhet të krijohet një legjitimitet i ri politik për t’u ballafaquar me të gjitha problemet, pandeminë, efektet ekonomike, krizën politikë të shkaktuar nga Gjykata Speciale, efektet politike që do të kenë negociatat me Serbinë dhe në këtë proces të ballafaqimit me të kaluarën, nuk mund të kemi kryetarë bashkish që e shndërrojnë veten edhe në akademikë, prokurorë, gjykatës, historianë dhe çdo gjë tjetër. Duhet pak më shumë maturi në Kosovë, në Shqipëri duhet më shumë angazhim për bashkim mendimesh dhe jo për konfrontim.