3 perditesime
20:29

Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit i kërkon falje Surroit

Kreu i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Avdullah Domi duke komentuar për Euronews Albania vendimin e marrë sot për t’i hequr titullin “Qytetar Nderi” Veton Surroi, tha se gjithçka kishte qenë emocionale.

Domi, përveç ndjesës për vendimin e nxituar ndaj Surroit, shtoi se “ndoshta nuk ishte momenti i duhur”.

“Morëm indicie nga një letër e dërguar në Këshillin e Qarkut. Ishin emocionet që na shtynë në një vendim të tillë që nuk duhej marrë apo që nuk ishte momenti i duhur. Kërkesa është depozituar para 3-4 ditësh. Në relacionin përmbledhës nuk kishte argumente ligjore por argumente morale. Kjo çështje nuk ka lidhje me gjyqin e UÇK-së në Hagë është një rastësi”, tha Domi.

“Duam t’i kërkojmë ndjesë z.Surroi dhe të gjithë qytetarëve që janë prekur nga ky vendim. Duhet thënë që të kërkosh falje është fisnikëri. Nuk ishte tamam momenti i duhur”, shtoi ai.

Për reagimin e kryeministrit Edi Rama që e cilësoi “lajthitje kolektive” vendimin e Domit, ky vet deklaroi se ata kanë pozicione politike dhe vendimet duhen marrë në mënyrë të përgjegjshme.

19:31

Surroi pas vendimit për heqjen e titullit “Nderi i Qarkut”: U zhvillua gjyq politik ndaj meje

Publicisti Veton Surroi ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Qarkut të Kukësit për t’i hequr titullin “Nder i Qarkut”.

Në një intervistë për EuroNews Albania, publicisti Surroi tha se vendimi i ngjason gjyqeve politike duke kujtuar se gjykime të tilla në këtë qark kanë pasur dhe pasoja të hidhura (varja e shkrimtarit Havzi Nela) por që për fatin e tij të mirë tashmë nuk jetojmë më në atë sistem totalitar pasi pasojat do të diheshin.

“Ishte pa këndshme por është një lajm në zhvillim dhe pas vendimit pashë që kryetari i bashkisë kërkoi falje. Nuk e di se ku gjendet dhe ku do të gjendet pas një orë kjo punë. Ishte pakëndshme dhe forma se si u veprua, u zhvillua një lloj gjyqi politik në të cilin më la mbresë formulimi “le ta shkarkojmë tash, format do t’i marrim më vonë. I ngjasonte pak gjykimeve politike dhe gjykimet politike në Kukës dhe për fat të keq ato kanë pasur pasoja të këqija në kohën e komunizmit. Fati i mirë është që jemi në një sistem tjetër se për ndryshe kjo punë përfundonte edhe më keq”, deklaroi Surroi.

I pyetur se tek cilat qëndrime bazohej një vendim i tillë nga Këshilli i Qarkut të Kukësit, ai tha se është një gjykim politik dhe sipas tij bazohet në emocion dhe jo në prova.

“U lajmërova nga miqtë e mi në Kukës që më shprehën keqardhje dhe nga kolegët e mi në Shqipëri që kërkonin një konfirmim nga unë ndërkohë që nuk dija asgjë për këtë lajm. Nuk shoh ku është inspirimi dhe prej nga është inspirimi, nuk e di për cilat dosje dhe për çfarë është fjala. Dokumenti që është prezantuar nga z. Gjici, kryetari i bashkisë thoshte se kishe të bënte me iniciativën e dy intelektualëve që për fat të keq nuk i njoh dhe nuk e di se çfarë provash kanë paraqitur ata intelektualët dhe çfarë për z. Gjici është provë”, tha Surroi.

Ky veprim i gjykimit politik, thotë Surroi, “me thënë të drejtën siç do gjykim politik tjetër bazohet në emocion dhe reagim dhe veprim shkatërrues dhe në mbledhje të ndonjë prove apo vendimi”.

“Fundi fundit se çfarë mendoj unë nuk është ndonjë sekret pasi shkruaj libra dhe shkruaj në gazetë”, u shpreh publicisti.

“As nuk kam nevojë të kërkoj dhe kush fshihet apo pse fshihet pas këtij vendimi. Kryetari i bashkisë tha se kishte një vendim pas kërkesës së dy intelektualëve. Pastaj tha për një letër të 57 familjeve. Me thënë të drejtën këto veprime nuk i bëjnë nder kryetarit të bashkisë”, përfundoi Surroi.

18:48

Vasili kritikon Ramën: U dhe urdhër këshilltarëve t’ia hiqnin titullin Surroit

Edhe gazetari Ben Andoni dhe nënkryetari i LSI-së, Petri Vasili, kanë kritikuar veprimin e Këshillit të Qarkut Kukës, për heqjen e titullit “Nderi i Qarkut Kukës” ndaj Veton Surroit.

Vasili, madje thotë se këtë e ka bërë vet kryeministri Edi Rama, ndonëse Rama kritikoi më herët këtë vendim të Këshillit.

“Edi po me Vetonin ç'pate mor i pabesë! Edi po pse i tradhëtove këshilltaret e Kukësit? Edhe ju dhe urdhër këshilltareve, që t’i hiqnin titullin Vetonit edhe tani i shan dhe i nxjerr komplet si budallenj. Po pse ke qenë, je dhe do mbetesh i pabesë? Po budallai më i madh është kushdo që të beson më ty”, thotë ai.

Në anën tjetër, gazetari Andoni bën thirrje; “Mos e prekni Vetonin, mësoni prej tij”.

“Është e vërtetë që Veton Surroi ka qenë kritik për shumë nga personazhet e luftës së Kosovës dhe mbi të gjitha narrativat e ndërtuara për luftën. Veçse pakkush si ai e ka futur në hullitë e duhura këtë luftë dhe respektin për Kosovën. Publicistika dhe krijimtaria e Surroit në përgjithësi ka dalë prej shumë kohësh nga qethulli lokal duke i ndërkombëtarizuar me një punë tejet cilësore idetë e tij dhe punën intelektuale të qarqeve të Kosovës”, shkroi Andoni.

Andoni, thotë se në një farë mënyre, artikulimet e Veton Surroit i kanë paraprirë shumë kohë më parë problemeve reale të Kosovës por edhe qasjen tonë, duke e futur me një rrafsh krahasimtar bashkëkohor.

“Dhe, për këtë duhet me e vlerësu sepse ka qenë dhe mbetet barometër i pagabueshëm i situatës në Kosovë dhe jo vetëm kaq. Për më tepër dhe kur e kanë fyer, ai jo vetëm nuk është përgjigjur me të njëjtën monedhë por me anë të artikullit të radhës ka treguar klasin e lartë të publicistikës kosovare, që ai e përfaqëson bashkë me pak kolegë të tij. Janë pikërisht këta si Surroi, ata që sot ushqejnë shoqërinë kosovare dhe atë shqiptare dhe jo patetizmat e kinse heronjve dhe narrativat hipotetike”, shkruan Andoni.

Andoni, tutje thotë se “Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë tek ky krijues mendimin e lirë ku kontrollon shumë ide për Kosovën dhe ato që i duhen asaj.

“Ndaj vendimi i fundit i një grupi drejtues të qytetit që bëri aq shumë gjatë luftës së Kosovës është jo vetëm i padrejtë por tejet përçarës. Lëreni Gjykatën e Hagës, që është ngritur nga parlamenti i Kosovës të kryejë si duhet punët e veta dhe heshtni që drejtësia të bëj punën e saj. Heshtni dhe i kërkoni falje të sinqertë Vetonit, njeriut që iu dha një leksion të jashtëzakonshëm me fjalën e tij, kur mori këtë nderim vite më parë. Keni bërë një veprim, si Qark, që do t’ua zili të gjithë ata që e tollovisin kombin tonë. Më thjesht akoma: Mos e prekni Vetonin, mësoni prej tij!”, thotë ai.

18:25

Rama reagon pas heqjes së titullit “Nderi i Qarkut Kukës” për Surroin, kryebashkiaku kërkon falje

Publicistit Veton Surroi i është hequr titulli “ Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut në Kukës në vitin 2015.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e mbajtur të premten.

Vendimi është marrë pak ditë pas intervistës që Surroi dha në 'Çim Peka LIVE', ku mbrojti kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Sipas kryetarit të Këshillit, Abdulla Domi, vendimi është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit.

Për këtë reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit "Qytetar Nderi" Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, shkroi Rama.

Ndërsa, kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjicin, pas këtij vendimi, ka kërkuar falje publike.

“Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së! Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale”, shkroi Safet Gjici, kryetar i Bashkisë Kukës.

Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim të Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.