Arbëri

Inspektorati ndërpreu punimet në banesën e gruas së Veselit për tejkalim të pëlqimit për rinovim

Ka disa javë që në kulmin e objektit ku banon familja e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, janë duke u kryer punime.

Por, para disa ditësh, këto punime janë ndërprerë nga Inspektorati Komunal, pasi ato kanë tejkaluar pëlqimin e lëshuar nga Komuna për riparim të kulmit ekzistues.

Ndërprerjen e punimeve e ka konfirmuar drejtori i Inspektoratit në kryeqytet, Adonis Tahiri, i cili ka thënë se e kanë detyruar palën ta largojë pjesën e ndërtuar jashtë pëlqimit të Komunës, raporton KOHA.

“Çdo tejkalim i mundshëm evidentohet, ndërpriten punimet dhe merren masa nga ana jonë, si në çdo rast tjetër. Një gjë e tillë ka ndodhur javë më parë, është kthyer në pikën zero dhe tani gjithçka është sipas lejes”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka shtuar se inspektorët po monitorojnë vazhdimin e punimeve, për t’u siguruar nëse ato janë duke u kryer sipas kërkesave të Komunës.

“Punimet në atë pjesë tani janë duke u zhvilluar sipas pëlqimit të marrë nga Drejtoria e Urbanizmit për riparim të kulmit. Pra, s'ka të bëjë me mbindërtim. Inspektorët e përcjellin kohë pas kohe për të parë nëse pala po i përmbahet lejes që ka”, është shprehur ai.

Pëlqimin në Komunë për ta rinovuar kulmin e ka kërkuar bashkëshortja e Veselit, Violeta Veseli, e cila i ka thënë KOHËS se nuk është marrë me këtë çështje dhe se nuk mund të japë ndonjë përgjigje.

Pëlqimi i lëshuar më 10 tetor të këtij viti e obligon investitorin që të mos e ndërrojë lartësinë e ndërtesës dhe të ruajë arkitekturën e saj.

Pika 7 e dokumentit tërheq vërejtjen se nëse investitori kryen punime të tjera nga ato që janë të specifikuara në pëlqim, atëherë punimet do të trajtohen si ilegale.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Veseli banesën në Prishtinë e ka deklaruar në pronësi të bashkëshortes.