Arbëri

I akuzuari për krime lufte s’mund t’i konfirmojë datat e sakta të qëndrimit në Pejë

Për 6 orë rresht, i akuzuari për krime lufte Zoran Gjokiq ka paraqitur mbrojtjen e tij te enjten para trupit gjykues.

Ka thënë se asnjëherë nuk i ka shkuar mendja se do të dilte para një trupi gjykues me akuzat të cilat rëndojnë ndaj tij.

Por, pjesën më të vështirë të mbrojtjes Gjokiqi e ka pasur para avokatit të familjeve të dëmtuara, i cili e ka ballafaquar atë me deklarimet e tij të dhëna në Polici e Prokurori.

Gjokiqi, në shumicën e kohës, nuk ka mundur t’i konfirmojë datat e sakta të qëndrimit të tij në Pejë dhe largimin nga Kosova gjatë muajit mars të ’99, raporton KOHA.

Gjokiqi është pyetur se si ndihet kur dëgjon se një shok i tij po gjykohet në Beograd për vrasjen e mbi 200 shqiptarëve në Serbi. Ndërsa është pyetur edhe për afërsinë me pjesëtarët e njësitit special Frenki dhe gjuhën e tij fyese ndaj shqiptarëve të përdorur në rrjete sociale.

Gjykimi për krime lufte ndaj Gjokiqit është drejt fundit. Gjatë mesit të muajit janarit do të jepet fjala përfundimtare në këtë rast.

Zoran Gjokiqi, i arrestuar vitin e kaluar, akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kishin maltretuar, i kishin plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre, e pastaj i kishin vrarë.

Sipas aktakuzës, Gjokiqi ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndau dhe me kallashnikov ekzekutoi Zeqirin dhe Berishën, derisa Shaban Kaliqani kishte shpëtuar.

I vrarë kishte mbetur edhe Riza Mamaj, i cili ishte nisur me karrocë në dorë dhe ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.