Arbëri

Gashi: Emërimi i djalit të Haxhi Shalës në postin e konsullit në Pragë, ndërmarrje mes Thaçit e ministres Haradinaj

Gazetari i KOHËS, Fitim Gashi, ka thënë se emërimi i konsullit të përgjithshëm në Pragë, Flakron Shala, djali i deputetit, Haxhi Shala, ka qenë ndërmarrje që është bërë ndërmjet ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ai ka thënë se procesi është tentuar të mbahet i fshehtë dhe jashtë syrit të opinionit.

Gashi në Express Intervista të KTV-së ka thënë se është edhe Qeveria e Kosovës e cila do të duhej të merrte pjesë në këtë proces.

“Nuk dihet nëse Shala është nënshtruar në procesin e konkursit. Reagimi i Hotit erdhi vetëm pasi pati reagime tjera pas publikimit të lajmit. Këtu tregohet pafuqia e kryeministrit i cili edhe vet e pranon që nuk është pyetur për emërimin. I bie që partnerët e koalicionit nuk e pyesin njëri-tjetrin. Unë kam pyetur edhe në Zyrën e Kryeministrit lidhur me emërimin, por nuk janë përgjigjur”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se konsujt e përgjithshëm duhet t’i nënshtrohen konkursit e pastaj edhe të gradimit brenda MPJ-së.

Ai ka thënë se janë kaluar tri grada tjera të konsujve, që Shala të emërohet konsull i përgjithshëm.

Gashi ka thënë se sipas burimeve brenda ministrisë nuk janë respektuar procedurat për gradimin e tij.

“Para votimit të Qeverisë, një ditë më herët Haxhi Shala kishte thënë se nuk do të jep votë për Qeverinë por qëndrimin e kishte ndryshuar pasi në shtëpi i kishin shkuar Thaçi e Haradinaj. Nuk u deshtë gjatë të kuptohet se ka qenë një post i lartë për të cilin është negociuar”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se nuk është hera e parë që ofrohen këto pozita pa respektuar procedurat.

Ai ka thënë se pak dite para se Thaçi të jep dorëheqje nga posti i presidentit, ka dekretuar ish-shefi i protokollit të ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli. Nuk dihet se si janë kaluar procedurat që kërkohen.

Gashi ka përmendur edhe postin e konsullit në Tiranë.

“Diplomacia e jashtme është pasqyrë e brendshme se çfarë po ndodhë. Ka pas reagime në vazhdimësi lidhur me rastet e tilla porse nuk janë marrë parasysh. Në misionet diplomatike ka më pak mbikëqyrje dhe për këtë është keqpërdorur në vazhdimësi nga partitë. Është edhe një rast tjetër për vëllain e ministrit Armend Zemaj, i cili është emëruar ambasador, madje posti i tij është i shpikur”, ka thënë ai.

Sipas tij, e vetmja dritare kanë mbetur kronikat në media të cilat po i raportojnë rastet.

Gashi ka thënë se Qeveria Hoti është përballur që nga fillimi me probleme, marrë parasysh edhe dështimin e projektligjeve me rëndësi në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se shkuarja e Thaçit ka prodhuar krizë të re brenda koalicionit për vetë pozitën e presidentit.