1 perditesime
17:12

Hoti: Kongresi i Manastirit jetësoi ëndrrën e kamotshme për alfabet të njësuar të gjuhës shqipe

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se 22 nëntori, Dita e Alfabetit është ndër datat më të rëndësishme të historisë së kombit.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se Kongresi i Manastirit jetësoi ëndrrën e kamotshme të shqiptarëve për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe.

“Kongresi i Manastirit i vitit 1908, me Fishtën, Mjedjen, Zavalanin, Qiriazin e intelektualë të tjerë të shquar të kohës, unifikoi përgjithmonë shkronjën shqipe, duke e jetësuar ëndrrën e kamotshme të brezave për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe”, ka shkruar ai.

16:41

Osmani: Vepra e delegatëve të Kongresit të Manastirit duhet të jetë udhërrëfyes për ne

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kujtuar 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Ajo ka thënë se kjo datë shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kongresi në thelb ishte ngjarje kulturore, porse më vonë u shndërrua në njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme politike.

“Duke e unifikuar alfabetin, delegatët e tij e unifikuan popullin shqiptar rreth një identiteti të përbashkët dhe e riorientuan atë përfundimisht drejt kulturës e qytetërimit perëndimor, pjesë e të cilit qemë prej shekujsh”, ka shkruar ajo.

Osmani ka shkruar se vepra e delegatëve të Kongresit, për bashkimin e shqiptarëve rreth vlerave identitare dhe qytetërimit perëndimor, duhet të jetë udhërrëfyes i përhershëm.