Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë thirrje që të merren masa disiplinore ndaj deputetëve që penguan seancën e sotme, kurse nga kryesuesja e seancës të garantohet mbarëvajtja e vazhdimisht të seancës sipas Rregullores së Kuvendit.
Reagimi i KDI-së ka ardhur pas përplasjeve në seancën e sotme në Kuvend mes deputetëve të VV-së dhe LDK-së.
“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po përcjellë me shumë shqetësim degradimin e mospajtimeve mes deputetëve të subjekteve politike parlamentare deri në përplasje verbale mes tyre. KDI dënon sjelljet jo parlamentare në seancën e sotme, gjegjësisht konfrontimet verbale mes deputetëve të LDK-së dhe LVV-së gjatë interpelancës e cila shtjellonte një temë aq të ndjeshme për qytetarin e Kosovës siç është çështja e të pagjeturve. Përveç se janë të papranueshme, këto sjellje cenojnë vlerat themelore të demokracisë të cilat do të duhej t’i promovonte Kuvendi si organi më i lartë përfaqësues në vend. Ne ia rikujtojmë Kuvendit se ai duhet të shërbej si arenë e diskutimeve përmbajtësore drejt gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve, e jo hapësirë që promovon sjellje e gjuhë joparlamentare që nuk gjenerojnë asgjë tjetër përveç se polarizim të mëtejmë shoqëror dhe thellim të krizës politike. KDI kërkon që në përputhje me Rregulloren të merren masa disiplinore ndaj deputetëve që penguan seancën e sotme kurse nga Kryesuesja e seancës të garantojë mbarëvajtjen e vazhdimit të seancës sipas Rregullores së Kuvendit”, thuhet në reagimin e KDI-së.