7 perditesime
15:55

Përfundon greva e minatorëve të Trepçës

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë përfunduar grevën, ka konfirmuar Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Osmani ka thënë për KOHËN se pagat e punëtorëve kanë dalë dhe minatorët kanë ndërprerë menjëherë grevën.

Ai ka shtuar se qysh nesër do të fillojë puna me orar të rregullt, siç ishte deri tash.

Minatorët u futën në grevë të mërkurën, pasi nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Pas kësaj situate të krijuar, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes "Trepça", Hysen Vrajolli, dha dorëheqje.

Pas dorëheqjes së Vrajollit në këtë detyrë është emëruar Enes Muzaqi.

Qeveria e Kosovës më 13 nëntor ka konfirmuar se ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për t’i tejkaluar problemet financiare, në të cilat ndodhet aktualisht kjo ndërmarrje.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Grevës i kanë dhënë fund edhe punëtorët e minierës së Artanës.

13:10

Pas dorëheqjes së Vrajollit, Enes Muzaqi emërohet u.d. i drejtorit të Bordit të Trepçës

Enes Muzaqi është zgjedhur ushtrues detyre i drejtorit të Bordit të Trepçës. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, Shyqri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.

Emërimi i Muzaqit vjen pas dorëheqjes së Hysni Vrajollit nga kjo pozitë. Ai ka thënë se dorëheqja i është kërkuar haptas nga Qeveria e Kosovës.

12:27

Qeveria ekzekuton ndihmën prej 1 milion eurosh për Trepçën

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka njoftuar se ka ekzekutuar ndihmën financiare për Trepçën, në vlerë prej 1 milion eurosh.

Sipas njoftimit për media, kjo ndihmë u ekzekutua sot për shkak të teknikaliteteve të bartjes së mjeteve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

“Duhet të sqarohet që pjesa prej 100,000.00 eurosh, që e kompleton ndihmën prej 1.1 milionë euro, do të ndahet gjatë javës tjetër për shkak se këto alokime nga buxheti i pakos së rimëkëmbjes ekonomike do të duhet të votohet në Mbledhjen e Qeverisë mbi kriteret dhe motivet e ndihmës për subjektet e caktuara”, thuhet në komunikatë.

11:55

Vrajolli thotë se Qeveria kërkoi largimin e tij, ngujimit në Trepçë i bashkohen të gjitha ndërrimet

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të përkohshëm të Trepçës, Hysen Vrajolli, në letrën e dorëheqjes së tij ka thënë se kohëve të fundit është zhvilluar fushatë kundër angazhimit të tij.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit dhe kryeministri Avdullah Hoti, kanë kërkuar haptas që ai të largohet nga kjo pozitë, për çka thotë se, e ka bërë me kënaqësi.

“Për shtatë muaj me radhë nuk kam lënë gur pa lëvizur nga vendi për të përmirësuar ecurinë e prodhimit dhe aktiviteteve tjera në mënyrë që Trepça të shkojë drejtë rehabilitimit”, ka thënë ai.

Ndërkohë që grevës në minierën e Trepçës i janë bashkuar të gjitha ndërrimet.

Image

 

11:31

Jep dorëheqje u.d. i drejtorit të Bordit të Trepçës pas ngujimit të minatorëve

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të Trepçës, Hysen Vrajolli, ka dhënë sot dorëheqje. Kjo ka ardhur pas ngujimit të minatorëve nëpër miniera si pasojë e mosmarrjes së pagave për muajin tetor.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar anëtari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Refik Mehmeti.

Ai ka thënë se Vrajolli dorëheqjen e ka paraqitur me vetëdëshirë, kurse tani Bordi është duke caktuar dikë tjetër në këtë pozitë.

 

11:06

Qeveria u premton minatorëve se pagat do të dalin nesër, ata vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar

Të premten më së largu pritet që minatorët t’i marrin rrogat e tyre. Kështu ka bërë të ditur drejtori i njësisë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike, Besnik Krasniqi.

Ai ka thënë për KOHËN se dje janë informuar se është marrë urdhëri për alokimin e mjeteve nga Ministria e Financave në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, duke shtuar se para gjysmë ore është bërë procedimi i dokumentacionit përkatës për ekzekutimin e pagesës.

Ai ka thënë se më së largu pagat do të ekzekutohen nesër.

Krasniqi tutje ka shtuar se menaxhmenti dhe sindikata e pavarur e punëtorëve janë në dijeni për procedurat të cilat janë për alokimin e mjeteve.

“Menaxhmeti e sindikata e dinë procedurën, është një procedurë për alokimin e mjeteve. Deri nesër do t’i kenë paratë në llogari. Janë 1.1 milionë euro, 1 milion dalin sot ose nesër dhe 100 mijë dalin gjatë javës. Qeveria e Kosovës këtë vit përveç 1.1 milionë euro e ka subvencioni Trepçën edhe me 7.2 milionë euro në subvencione dhe investime kapitale, dhe pjesën tjetër në kuadër të Pakos së rimëkëmbjes, janë rreth 8.3 milionë euro dhe tash mbetet në dorë të menxhamentit që ta fillojnë riformatizimin e organeve”, ka thënë ai.

Krasniqi ka deklaruar se ka pasur mungesë të organizimit, duke shtuar se menaxhmenti nuk ka mbërritur t’i mbulojë shpenzimet e tyre.

“Ata nuk kanë mbërritur t’i mbulojnë shpenzimet e tyre dhe për atë kemi ardh këtu, Trepça i ka mbi 1400 punëtorë dhe shumica prej tyre nuk i kryejnë obligimet, është detyrë e bordit me i rikonstrukturu”, ka thënë ai.

10:07

Shkon mbi 250 numri i minatorëve të ngujuar nëpër miniera

80 minatorëve të ngujuar të mërkurën në Trepçë, i janë bashkuar edhe 150 punëtorë të tjerë.

Ata po qëndrojnë në horizontin e 10-të të minierës në Stanterg. Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar sekretari i Kryesisë së Sindikatës së minierës së Trepçës, Eset Meha.

Ai ka thënë se momentalisht në minierë të ngujuar janë më shumë se 200 punëtorë. Ai tutje ka shtuar se kërkesë e vetme e tyre janë pagat.

“Ne nuk do të dalim nga miniera pa ekzekutimin e pagave”, ka thënë tutje Meha për KOHËN.

09:35

Mbi 100 minatorë të ngujuar në minierat e Trepçës dhe Artanës në kërkim të pagave

Mbi 25 minatorë të minierës së Artanës janë ngujuar në horizontet e minierës ku ata punojnë, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave. Aty po qëndrojnë që nga dita e djeshme, derisa paralajmërojnë se nuk do të dalin derisa Qeveria të mos i ekzekutojë pagat e tyre.

Për të njëjtat motive, të ngujuar po qëndrojnë edhe mbi 80 minatorë të Trepçës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Minierës së Artanës, Blerim Ymeri, i ka thënë KOHËS se kërkojnë nga Qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që t’i kryejnë të gjitha obligimet ndaj këtyre punëtorëve dhe të mos ketë vonesa në paga në muajt në vijim.

“Mbi 25 punëtorë të minierës së Artanës janë duke qëndruar në ambientet e tyre të punës që nga dita e djeshme në shenjë pakënaqësie për mosmarrjen e pagave. Kjo protestë ka nisur nisur nga ndërrimi i tretë i minatorëve, ndërkaq sot i është bashkuar edhe ndërrimi i parë. Na është thënë se këtë javë do të dalin pagat, porse ne nuk do të lëvizim derisa të mos ekzekutohen ato”, ka thënë ai.

Po në këtë minierë në qershor të këtij viti kanë humbur jetën dy minatorë. Ymeri ka thënë se ishte premtuar nga Qeveria që nga një familjar i viktimave do të punësohet në minierë, porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Ai në emër të sindikatës ka kërkuar që një zotim i tillë të realizohet. Ai gjithashtu ka kërkuar që të punojnë së bashku edhe në Ligjin për skema sociale.

KOHA të mërkurën ka raportuar edhe për mbi 80 minatorë të cilët po qëndrojnë të ngujuar në horizontin e 10-të të minierës së Trepçës në Stanterg. Derisa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të Trepçës, Hysen Vrajolli, i ka thënë Kohës se përkundër që nga Qeveria ishte premtuar se do të alokohen një milion euro në xhirollogarinë e Trepçës, një gjë e tillë nuk është realizuar, me ç ‘rast edhe minatorët nuk kanë marrë pagat e muajit tetor.

Derisa në vitet e ’90-ta minatorët bënin protesta e grevë urie në mbrojtje të subjektivitetit politik të Kosovës e të shqiptarëve, tani bëjnë grevë e protesta për motive ekzistenciale të tyre.