Arbëri

Stomatologët në protestë, kërkojnë të punësohen në sistemin shëndetësor publik

Për më shumë se dhjetë herë iu drejtuan dyerve të Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar punë.

Kërkesën e njëjtë e shprehën edhe të mërkurën.

Por specialistët e papunë të stomatologjisë që në fillim të protestës u penguan nga pjesëtarët e sigurimit.

Atyre nuk iu lejua vendosja e mbishkrimit “Diskriminim”, ani pse thanë se do ta largojnë pas protestës.

Specialistja e stomatologjisë, Mirjeta Berisha-Dobraj, thotë se deri tash asnjë ministër nuk u ka bërë zgjidhje. Ndaj, siç ka shtuar ajo, po kërkojnë takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Ne jemi specialistë, nuk jemi specializantë, kemi mbetur në rrugë me vite të tëra, dhe në asnjë konkurs ne nuk përfshihemi. Jemi të diskriminuar në maksimum. Të gjitha profilet e tjera kanë mundësi të angazhohen edhe të futen në sistem publik shëndetësor, kurse specialistët e stomatologjisë me vite e kanë përfunduar edhe specializimin dhe janë specialistë të vërtetë. Nuk ka asnjë vend për neve” , ka thënë ajo.

Sipas Afërdita Canollit, sikurse specialistëve në lëmenjtë e tjerë, edhe specialistëve të stomatologjisë duhet t’u bëhet një zgjidhje.

“Specialistët e mjekësisë së përgjithshme thuajse të gjithë janë të sistemuar. Edhe gjithmonë proklamohet jo vetëm në mandat të këtij ministri, por edhe të ministrave tjerë që asnjë specialistë nuk do të jetë i papunë”, ka thënë Canolli.

Ministria e Shëndetësisë ndërkaq, përmes një përgjigjeje, ka bërë të ditur më vonë se anëtarë nga kabineti i Ministrit Zemaj kanë takuar një grup të stomatologëve. Me ta, siç thuhet, është diskutuar për ide të ndryshme, se si në të ardhmen edhe ky profil i specialistëve të mund të bëhen pjesë e sistemit shëndetësor publik.

Grupi i Specialistëve të Stomatologjisë tash e sa kohë po proteston për mospunësimin e tyre në institucionet publike shëndetësore, gjegjësisht Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Poliklinikat Shëndetësore.

Për ta nuk vlen konkursi i hapur nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës për pranim të specialistëve të papunë.