Arbëri

Shaip Kamberi kërkon që çështja e shqiptarëve në Luginë të përfshihet në dialogun Beograd-Prishtinë

Shaip Kamberi kërkon që çështja e shqiptarëve në Luginë të përfshihet në dialogun Beograd-Prishtinë
Foto: DW
 

Shaip Kamberi, deputet nga Bujanovci, kryetar i grupit të vetëm opozitar në Parlamentin serb, kritikon politikën e Vuçiqit ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë, që i diskriminon ata në të drejtat e tyre si dhe ekonomikisht.

Deputeti i opozitës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se politika e Serbisë ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë tërësisht, nëse Beogradi kërkon paqe në rajon. Deklaratat e Kamberit në disa seanca të Kuvendit të Serbisë e kanë kthyer atë në qendër të vëmendjes në opinionin serb. Kamberi u kritikua e sulmua pasi përmendi krimet, diskriminimin, por edhe gjendjen e politikës në Serbi. Shumë serbë e lavdëruan duke e quajtur liderin e ri të opozitës serbe, pasi replikat kryesore në Kuvend zhvillohen mes Shaip Kamberit dhe deputetëve që shumica i takojnë maxhorancës. Pas zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit, qeveria u formua katër muaj me vonesë dhe me paralajmërimin, se kjo qeveri do të ketë kohë të limituar prej një viti e gjysmë. Serbët do të mund të votojnë sërish për parlamentin dhe njëkohësisht edhe për presidentin e vendit në prill të vitit 2022. Shumë parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet pasi ishin të mendimit, se nuk ka kushte të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke akuzuar presidentin serb, Alleksandar Vuҫiq për kontroll total të mediave.