Arbëri

Shoqëria civile kërkon të publikohen të gjitha lejet mjedisore për Kelkosin

Organizatat e shoqërisë civile të koalicionit Pro Open kanë kërkuar që të publikohen të gjitha lejet mjedisore të lëshuara dhe të bëhet transparent i gjithë procesi i pajisjes më leje mjedisore të kompanisë Kelkos.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile të koalicionit Pro Open, shprehim indinjatë të thellë rreth mungesës totale të transparencës dhe llogaridhënies së Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse në raport me licencimin dhe legjitimimin e ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve të vogla dhe mini, veprimtaria e së cilave tashmë është dëshmuar se ka ndikime direkte në mjedis”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se në kohën kur i gjithë potenciali qytetar dhe shoqëria civile është vënë në lëvizje për të kundërshtuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve të vogla dhe mini, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis si dhe për të mbrojtur potencialin tonë zhvillimor, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për të dëgjuar vullnetin e qytetarëve me qëllim të evitimit të pasojave, mbrojtjes së ambientit dhe resurseve ujore si dhe për të bërë transparent gjithë procesin administrativ rreth dhënies së lejeve, autorizimeve dhe dokumentacionit tjetër relevant.

ZRRE-ja i jep leje 40-vjeçare Kelkosit për operim me dy hidrocentrale

“Për më tepër, në vazhdën e territ informativ rreth ligjshmërisë dhe arsyeshmërisë së ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve të vogla dhe mini, sot ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit përmes medieve ka deklaruar se ministria që udhëheqë ai nuk ka lëshuar asnjë leje mjedisore për kompaninë Kelkos, të cilës sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia miratoi licencën për prodhimin e energjisë për 40 vjet”, thotë Pro Open. “Në këtë kuptim, shteti i Kosovës ka dëshmuar së është i paaftë për të ofruar transparencë dhe llogaridhënie për publikun në lidhje me këtë problematikë dhe këto sjellje përbëjnë dyshim të bazuar se institucionet relevante, në veçanti Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, kanë shkelur autorizimet e tyre ligjore dhe i shërbejnë grupeve të ngushta të interesit, duke dëmtuar resurset natyrore të Kosovës dhe potencialin turistik dhe zhvillimor”.

Pro Open rikujton se sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla, në hapësirat e parqeve kombëtare dhe zona turistike me potencial zhvillimor, që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, dhe shumë dëme të tjera.

“Për këto arsye, ne organizatat e shënuara më poshtë kërkojmë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit që të publikojë të gjitha lejet mjedisore të lëshuara dhe të bëjë transparent gjithë procesin e pajisjes më leje mjedisore të kompanisë Kelkos, duke mos u kufizuar në kushtet dhe kriteret që janë përmbushur për t’u pajisur me këtë leje”, thuhet në komunikatë.

Organizatat përkrahëse:

Iniciativa për Progres (INPO)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)

Demokraci Plus (D+)

Çohu

FOL

Instituti Riinvest

Ec Ma Ndryshe

Environmentally Responsible Group (ERA)

OJQ Gjethi

Kosovo Advocacy and Development Center (KADC)