Arbëri

MPJD-ja i përgjigjet Vuçiqit: Dialogu me Serbinë të vazhdojë pas pranimit në NATO

Ministria e Puneve te Jashtme e Kosoves - objekti

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e ka cilësuar kërcënim të hapur për luftë të re në Ballkan, deklarimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që gjatë ditës u shpreh se s’duhet të lejohet që Kosova “të mbetet konflikt i ngrirë” duke e ndërlidhur me situatën në Nagorno-Karabakh, që “ka treguar se një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzojë në katastrofë të vërtetë”.

Në një reagim ndaj kësaj deklarate, MPJD ka thënë se Kosova as s’është Nagorno-Karabakh, e as s’është konflikt i ngrirë. Kjo ministri ka thënë se fillimisht duhet të anëtarësohet në NATO e më pas të vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Reagimi dhe krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit. Dihet botërisht pjesëmarrja e forcave të rregullta ushtarake serbe (përfshirë snajperistë) në Bjellorusi. Ushtarët e Serbisë janë parë të përfshirë aktivisht edhe në konfliktin në Ukrainë dhe është raportuar ndërkombëtarësh për përdorimin e armatimit serb në konfliktin Azerbajxhan-Armeni. Është evidente dhe e qartë se pas imponimit të Rusisë në luftimet e rajonit të Nagorno-Karabakh, dhe paraqitjes së saj si ‘ndërmjetësuese’ për zgjidhjen e këtij konflikti nën sistemin ‘përçaj dhe sundo’, Rusia dhe Serbia si furnizueset kryesore me armë në këtë konflikt të armatosur po tentojnë të tërheqin paralele të tillë me qëllim të arsyetimit të militarizimit dhe armatimin e ushtrisë së saj me armatim jokompatibil me NATO. Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë vitin 1999”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

“Kosova do të shtojë përpjekjet për fillimin e anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike NATO, dhe tek pastaj do të duhej të vazhdojë dialogun me Serbinë!” përfundon komunikata.