Arbëri

Kuçi arsyetohet nga ministria që e udhëheq: S’ishte i informuar për lejet e Kelkosit

Foto: Koha

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka lëshuar sqarim lidhur me lejet e lëshuara nga ZRRE-ja për operimin me dy hidrocentrale nga kompania “Kelkos Energy”.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se ministri Blerim Kuçi në mëngjes nuk e ka pasur informacionin e plotë për lëshimin e licencës për operim për Kelkosin.

“Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, procesi për pajisje edhe me leje mjedisore nuk e implikon ministrin direkt në proces, pasi rruga administrative e këtyre dokumenteve zhvillohet mes departamenteve dhe Komisionit për Leje Mjedisore, duke përfunduar si proces në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq në njoftim thuhet se kompania ka dështuar të marrë edhe lejen e tretë pasi komisioni ka konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet.

Sipas njoftimit, “Kompania ‘Kelkos Energy’, kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur Pëlqimin Mjedisor për të tri Hidrocentralet.

“Kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur aplikacionet të ndara për të tri Hidrocentralet veç e veç, po ashtu taksa për Leje Mjedisore është kryer për të tri Hidrocentralet veç e veç”, thuhet në njoftim.

Ministria thotë se kompania ka bashkangjitur Lejet e Përdorimi për “HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”, Certifikatën e legalizimit për ndërtimin e tubacionit, veprës së marrjes dhe kabllove elektrike, po ashtu Lejen ujore për “HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”, për aprovimin e plotësimit të kushteve ujore, të parapara me lejet ujore paraprake, i ka për secilën veç e veç.

“Për Hidrocentralet HC ‘Belaja’ dhe HC ‘Deçani’, kompania ka arritur të sjell të gjithë dokumentacionin që kërkohet në përputhje me Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, ndërsa sa i përket HC- ‘Lumëbardhi II’, kompania nuk ka arritur të i përmbush kriteret sipas Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, për arsye se nuk ka arritur të pajiset me Lejet e shfrytëzimit të ujit dhe Lejet përdorimit të ujit”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, komisioni për Leje Mjedisore, gjatë realizimit të vizitës në terren ka konstatuar së është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punimet të HC “Belaja” dhe HC “Deçani, ndërsa të HC “Lumëbardhi II” nuk është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punime, për ketë arsye ka mbetur në fuqi përgjigja e datës: 12.10.2020”.