Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kelkos merr leje nga Ministria e Ambientit për operimin e hidrocentraleve në Bjeshkët e Deçanit

Kompania Kelkos ka marrë leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për operimin e hidrocentraleve në bjeshkët e Deçanit. Këtë e ka bërë të ditur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo leje është lëshuar pa i plotësuar kriteret dhe të enjten Zyra e Rregullatorit të Energjisë, në takimin e saj të radhës e ka në agjendë, shqyrtimin e aplikacionit (Licences) për kompaninë në fjalë.

Kusari-Lila ka theksuar se komuna dhe qytetarët kanë kundërshtuar operimin e kompanisë pa plotësim të kushteve apo në tërësi operimin pa rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara nga kompania në këto bjeshkë.

“D.m.th., ligjet nuk zbatohen nga Ministria e thirrur për të mbrojtur mjedisin dhe legalizohen nga Agjencioni i cili i raporton Kuvendit”, ka shkruar ajo.

Ajo i ka bërë thirrje ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, që para takimit të ZRRE-së të publikojë bazën ligjore me të cilën ka ndarë hidrocentralet dhe opinionin ligjor i cili ka rekomanduar ndarjen HC Belaja dhe HC Deçani.

Kusari-Lila ka kërkuar të publikohet se si janë përcaktuar ndikimet në mjedis të dy hidrocentraleve dhe çfarë kushtesh ka plotësuar kompania për t'u pajisur me lejen mjedisore.

Edhe Kuçi mohon se Kelkosit i është dhënë leje për operimin e hidrocentraleve në Deçan Arbëri Kuçi mohon se Kelkosit i është dhënë leje për operimin e hidrocentraleve në Deçan

“Si u sigurua Ministria e Ambientit që kaptazhat e ujit përgjatë Grykës së Deçanit dhe afër hidrocentralit Belaje dhe Deçan janë kthyer në gjendjen e mëparshme? Kush ka dalë në terren? çfarë raporti kanë përgatitur dhe kush i ka nënshkruar raportet? Kërkoj nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit që nesër URGJENT të publikojnë të gjitha dokumentet e nënshkruara për leje mjedisore për kompaninë KELKOS para takimit të ZRRE-së në ora 9:30”, ka thënë ajo.

Në të kundërtën, Kusari-Lila ka paralajmëruar se “e gjithë dosja do të dërgohet menjëherë në prokurori bashkë me emrat e të gjithë zyrtarëve të nënshkruan lejen mjedisore”.