Arbëri

Haxhiu e cilëson abuzim me drejtësinë rastin e Suzanës

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar abuzim me drejtësinë, rastin e Suzana Zogiani-Sekiraqës, që në KTV dha rrëfimin e saj nga burgu se si i kishte dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti duke e goditur me sëpatë në qafë më 2018.

Në Cosmo të KTV-së, Suzana tha se vrasjen e kishte kryer në gjendje të të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre. Zogiani-Sekiraqa e konsideronte të padrejtë dënimin prej 25 vjetësh burgim. Thotë se trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj dhe të djalit për abuzimin.

Në anën tjetër, Haxhiu, përmes një postimi ka thënë se teksa ka dëgjuar rrëfimin ekskluziv të Suzanës, “kuptova për padrejtësinë e radhës nga sistemi i drejtësisë”.

“Suzana, viktimë e dhunës në familje për vite me radhë, është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e bashkëshortit. Padyshim që vrasja duhet të ndëshkohet por është abuzim me drejtësinë nëse dënimi shqiptohet dhe nuk merren parasysh rrethanat që mund të qojnë te zbutja e dënimit dhe në rastin e Suzanës ka shumë të tilla por që janë injoruar nga dy shkallët e gjykatave! Në shumicën e rasteve, gratë dënohen më shumë se burrat për vrasjen ndaj bashkëshortëve”, ka thënë Haxhiu. “Me ndonjë përjashtim të vogël, gruaja vie deri te momenti i vrasjes së burrit, ose për shkak të vetmbrojtjes ose për shkak të përjetimeve të rënda psiqike e fizike ndaj saj ose/dhe fëmijëve, që në rastin e Suzanës janë të dyja bashkë por shkallla e parë dhe shkalla e dytë ka neglizhuar të dyja këto. E papranueshme! Uroj që Gjykata Supreme, ta adresojë padrejtësinë e bërë nga shkalla e parë dhe dytë kundrejt Suzanës!”