Enver Hoxhaj, u.d. i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kosova është në një situatë të rëndë, tash pasi janë konfirmuar aktakuzat ndaj tashmë ish-presidentit të vendit dhe të PDK-së, përkatësisht Hashi Thaçi e Kadri Veseli.
Ai në një konferencë për media të mbajtur të premten, tha se ata do të kthehet faqebardhë nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Konfirmimi i aktakuzës ndaj Veselit e Thaçit flet që Kosova është në një situatë të rëndë dhe në një proces të vështirë të shtetndërtimit. E një situatë e tillë e vështirë është edhe për PDK-në. Unë jam i bindur që ata do të dalin faqebardhë. Ne miqtë e bashkëpunëtorët e Veselit e Thaçit, jemi krenarë me arritjet e tyre dhe sjelljen shembullore. Ata ishin në lartësinë e burrështetasve që para interesit të tyre e vunë interesin e shtetit, ashtu edhe siç është parë dje”, ka thënë Hoxha.
Ai tha se nuk duhet të lejohet të krijohet asnjë krizë politike.
“Në këtë kohë duhet të tregojmë maturi, urtësi, unitet. Nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë krizë institucionale. Situata e vështirë pandemike e ekonomike nuk kanë nevojë të shoqërohen me një krizë politike prej nesh”, ka shtuar ai.
Hoxhaj ka bërë të publike edhe vendimet që janë marrë në mbledhjen e fundit të kryesisë së partisë.
“Kryesia e partisë ma ka besuar mua detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua e për këdo që do të gjendej në pozicionin tim. Një sfidë e cila mund të përballohet vetëm nëse forcojmë solidaritetin dhe unitetin brenda partisë”, ka thënë Hoxhaj.
Po ashtu ka prekur pak sa edhe çështjen e presidentit të vendit. Tash që ka dhënë dorëheqjen Thaçi, vendi ka mbetur me ushtrues detyre.
Hoxhaj tha se ka kohë për këtë.