3 perditesime
21:01

Ballafaqimi i Komunës së Pejës me qytetarët në gjykatë shkaku i sulmeve të qenve endacakë

Kafshime e grithje gjithandej në kofshë. Këto janë disa nga lëndimet që kishte marrë nga sulmi i qenve endacakë, djali i Rexhep Qorajt nga Peja.

7-vjeçarin e kishin sulmuar në prezencë të prindërve të tij, dhe me gjithë se ka kaluar 1 vit nga ky rast, fëmija ende është i traumatizuar, raporton KOHA.

“Para një viti e pak, djali ka shkuar te vajza e dajës për Bajram. Në momentin që ka dal nga makina, njërin qen ka tentuar ta frikësojë duke i thënë ‘qyp”, por një qen më i madh e ka sulmuar dhe e ka kafshuar. Në momentin që kam ndërhyrë unë, qeni është larguar, por tentoi sërish ta kafshojë”, ka thënë Rexhep Qoraj.

“Edhe sot ka pasoja, frikësohet djali”.

Qorraj ka paditur Komunën e Pejës dhe se lënda është ende në Gjykatë.

“E kam paditur, e kam angazhuar avokatin, ai e ka kryer punën dhe ka një vit e ca nga kjo, por ende nuk kam marrë asnjë ftesë”, ka shtuar Qorraj.

Megjithatë, ndaj Komunës së Pejës ka edhe padi të tjera të kësaj natyre në Gjykatë.

Ndonëse nuk ka dashur që të prononcohet Seniha Gjejladini, qytetare nga Peja në nëntor të vitit 2016, është sulmuar nga një qen endacak, nga i cili ka pësuar lëndime të mëdha.

Për këtë ajo ka paditur Komunën e Pejës dhe për këtë Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses Gjeladini.

Sipas aktgjykimit, e paditura Komuna e Pejës detyrohet që paditëses, në emër të dhimbjeve të përjetuara, frikës, shëmtimit, mjekimit dhe ushqimit të përforcuar, ta kompensojë në shumën prej 3 mijë 157 eurosh.

Megjithatë, avokatja e Komunës, shkurt ka thënë përmes telefonit se viktima është sulmuar në oborr të shtëpisë së saj dhe si rrjedhojë, Komuna nuk mund t’i ruajë qytetarët edhe brenda pronave të tyre.

Vendimin, kryetari i Komunës së Pejës e ka quajtur gabim të gjykatësit.

Muhaxheri ka thënë se nuk është detyrë e Komunës trajtimi i qenve endacakë, pasi këtë përgjegjësi e ka marrë përsipër Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Është fituar një gjyq më herët, ka qenë gabim i gjykatësit, edhe ata gabojnë, sepse qytetarët duhet të ankohen te AUV-i, institucion që ka marrë përgjegjësinë për këtë punë”, ka thënë Muhaxheri.

Por, me Ligjin e Veterinarisë, komunat obligohen që të bëjnë regjistrimin e qenve, të bëjnë vaksinimin vjetor kundër tërbimit, të bëjnë kapjen e qenve dhe maceve të rrugës dhe nëse është e nevojshme, eutanazinë e tyre, të bëjnë largimin dhe hedhjen e sigurt të trupave të pajetë të këtyre kafshëve, si dhe të themelojnë vende për përkujdesje për qentë dhe macet, sipas nevojës.

 

20:46

AKK-ja kërkon të dijë se si i shpenzoi AUV-i 1.3 milionë euro për trajtimin e qenve endacakë

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), thotë se organizata që drejton ka kërkuar të dijë se si janë shpenzuar 1.3 milionë eurot e ndarë për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) me qëllim të trajtimit të qenve endacak.

Ibrahimi në një intervistë në emisionin Raport në KTV, ka thënë se AUV-së i është kërkuar qasje në dokumentet zyrtare për këtë problematikë.

“Këshilli kryetarëve në një komunikim të cilin e kemi pasur, ka kërkuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që t'ia drejtojë një kërkesë për qasje në dokumentacionet zyrtare Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, sepse rezultatet për trajtimin e qenve endacakë nuk po shihen në terren. Pasi ka qenë një analizë e përbashkët, pasi që ka qenë edhe lobim i kryetarëve të komunave, lobim i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ta shohim se si janë shpenzuar këto mjete për trajtimin e qenve endacakë. Kërkesa jonë është deponuar dje, dhe shpresojmë që brenda afatit ligjor ta marrim një përgjigje”, ka thënë Ibrahimi.

Ai tregon se komunat ndër vite ndajnë buxhet për këtë çështje, mirëpo duke e marrë parasysh se kompetencat, komplet, nga viti 2018 së bashku me buxhet ekstra i kanë kaluar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, atëherë ato në një formë janë tërhequr pak nga kjo përgjegjësi.

“Ne e kemi pasur një takim të Këshillit të kryetarëve me përfaqësues të Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinës para disa ditëve, mirëpo është parë një frymë që tentohet të të lihet përgjegjësia edhe pse nuk i ke ato, as buxhetin. AUV-i gjithmonë është ankuar se komunat nuk janë duke vepruar edhe pse përgjegjësia është institucionale, i takon pra Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës”, ka shtuar Ibrahimi.

 

20:33

Thaçi: Institucionet e Kosovës nuk e kanë trajtuar problematikën e qenve endacakë

Zgjidhjen e problematikës për qentë endacakë e ka marrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Zyrtari për informim i kësaj Agjencie, Lamir Thaçi, ka deklaruar se kanë dërguar shkresa në institucionet si Qeveria, në Asociacion të Komunave të Kosovës dhe komunave personalisht, që të merren me këtë problematikë, por që sipas tij, s’kanë marrë ndonjë përgjigje.

Ai për Raport të KTV-së ka thënë se për disa vite rresht, shumica e komunave të Kosovës nuk e kanë trajtuar problemin për qentë endacakë dhe kjo vjen si rrjedhojë e mos punës së politikës.

“Ne si Agjenci, edhe këtë vit do t'i trajtojmë dhe projekti parashihet të përfundojë në muajin prill dhe edhe tani, iu bëjmë thirrje komunave që në planifikimet buxhetore për vitin 2021 ta kenë të ndarë buxhetin për trajtimin e duhur të qenve endacakë dhe pastaj, të mos dalim para qytetarëve që ne ta hedhim topin se e kujt është problematika”, ka thënë Thaçi.

Zyrtari i AVUK-ut tutje ka potencuar se e kanë marrë këtë si detyrë emergjente për shkak të rasteve që janë paraqitur, por ka thënë se nuk ishte e lehtë dhe e dëshirueshme për shkak të mos trajtimit të duhur nga niveli lokal.

 

20:18

Qentë endacakë, alarmi i përvitshëm

Të shumta janë sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve të pothuajse secilës komunë në vend, sidomos atëherë kur ulen temperaturat.

Rasti më i freskët është ai i një gruaje shtatzënë, ku ditë më parë u sulmua nga dhjetëra qenë endacakë në rrugën “Ibrahim Oruqi” në lagjen “Mati 1” në kryeqytet, raporton KOHA.

Ajo derisa po kthehej nga çerdhja ku i kishte dërguar dy fëmijët e saj, me të arritur afër shtëpisë ku jeton, u kafshua disa herë nga dhjetëra qenë endacakë.

Ky rast shtyu kryetarin e Komunës së Prishtinës të kërkojë që t’u kthehet përgjegjësia komunave për t’i trajtuar qentë endacakë.

Ai në një status në Facebook kishte shkruar se përkundër që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë 1.3 milionë euro për këtë çështje, gjendja aktuale është më keq se më parë.

Korab Lecaj është njëri ndër shumë prindërit që ka përvoja të këqija me qentë endacakë.

Lecajt, qentë endacakë ia kanë sulmuar djalin e tij 4-vjeçar në prezencë të tij.

Ai kishte telefonuar edhe policinë, megjithatë këta të fundit nuk ishin përgjigjur.

Antigona Isufi është një tjetër viktimë e sulmeve të qenve endacakë.

Ajo ishte sulmuar në oborr të QKUK-së nga një numër i madh i qenve, përderisa e ka pasur problem derisa e ka siguruar një vaksinë kundër tërbimit.

Andaj ajo është duke e përgatitur një padi kundër Komunës së Prishtinës.

Nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thonë se çdo ditë po shtohet numri i qenve endacakë, por sipas tyre kjo çështje kërkon trajtim më serioz.

Ndërsa, në rrjetin social Facebook janë të krijuara disa grupe, ku bëjnë pjesë vetëm viktimat e këtyre sulmeve apo edhe prindërit e fëmijëve të sulmuar.