Arbëri

Ambientalistja Mustafa e sheh problematik ndërtimin e Parkut të Aventurave në Gërmi

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Sport Marketing kanë arritur një marrëveshje për Parkun e Aventurave i cili do të ndërtohet në Gërmi.

Lidhur më këtë plan, kanë reaguar edhe ambientalistë dhe mbrojtës të natyrës.

Valbona Mustafa, aktiviste për mbrojtjen e Gërmisë dhe natyrës, ka deklaruar se pastrimi në parkun e Gërmisë, është një lloj proteste e saj për trajtimin që po i bëhet natyrës.

Lidhur me projektin e Komunës së Prishtinës, Mustafa ka thënë se ndërtimi i këtij parku ka anë pozitive, mirëpo lokacioni ku thuhet se do të ndërtohet, nuk është i duhuri.

“Ka shumë aspekte pse ky park është i mirë dhe ka shumë që nuk duhet të jetë në këtë lokacion ku na është prezantuar sot. Nëse ia shtojmë një fluks më të madh të veturave, nuk do të ketë hapësirë për parking”, ka deklaruar tutje ajo.

Mustafa ndër të tjera ka deklaruar se nëse në këtë hapësirë së parkut të Gërmisë ndërtohet parku, duhet pasur kujdes edhe ndaj natyrës dhe që çdo gjë të jetë në harmoni të plotë me mjedisin.

“Ne kemi kërkuar ta kemi një grup që t’i ketë idetë dhe propozimet e tij për bashkëpunim në lidhje me punimin e këtij parku, mirëpo marrëveshja është nënshkruar pa ne. Ne nuk jemi kundër parqeve, ka hapësira të mjaftueshme për parqe, ai lokacion është i bukur dhe s’ka nevojë për ndërhyrje në atë ambient”, ka deklaruar tutje ambientalistja.

Një brengë e madhe për të janë edhe mbeturinat në kryeqytet, e sidomos në Gërmi. Ajo ka potencuar se përveç mbledhjes së mbeturinave, tenton t’i vetëdijësojë njerëzit.

“Ne gjithmonë kemi momente zhgënjimi por ka edhe momente inspirimi, sepse vazhdimisht më ndalin qytetarët dhe më falënderojnë për aktivizmin. Çdo postim i imi e ka një kërkesë për të mos u përdorur plastika, pijet janë shumica të mbushuara dhe për pasojë sjellin insekte. Nëse përdorim insekticide, i mbysim bletët dhe shkaktojmë probleme tjera”, ka thënë Mustafa.

Për ndërtimin e këtij parku, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky projekt kap vlerën e 100 mijë eurove ndërsa ka thënë ky projekt nuk do ndikojë në dëm të drurëve.