Arbëri

Aktakuzë ndaj 6 veteranëve të rrejshëm, dëmtuan buxhetin me mbi 44 mijë euro

Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se ka ngritur gjashtë aktakuza, kundër gjashtë personave, të pandehurve F.A., R.R., A.A., I.R., A.H. dhe F.D., për shkak të veprës penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Sipas aktakuzave, të pandehurit F.A., R.R., A.A., I.R., A.H. dhe F.D., kanë vënë në lajthim Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës dhe Ministrinë për Mirëqenie Sociale, në atë mënyrë që i kanë plotësuar me të dhëna të pavërteta aplikacionet e dedikuara për pjesëmarrësit aktiv në UÇK, se kinse kanë qenë të angazhuar në aktivitete ushtarake të logjistikës, ku këto aplikacione i kanë dorëzuar në Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Gjilan, me ç’rast të pandehurve iu është njohur statusi i veteranëve të luftës dhe e drejta në pension mujor prej 170 Euro”, thuhet në njoftim.

“Të pandehurit F.A., R.R. dhe A.A., veç e veç kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 8,840€ , i pandehuri I.R., në shumë prej 5,610€ , i pandehuri A.H., në shumë prej 7,140€ dhe i pandehuri F.D., në shumë prej 5.540€”, thuhet në komunikatë. “Të gjithë të pandehurit kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 44.810 Euro”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzave i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurit të shpallen fajtor për veprën penale dhe të njëjtit të obligohen që të kompensojnë dëmin e shkaktuar.