Arbëri

Behluli thotë se institucionet duhet të ofrojnë përditësim më të shpeshtë të të dhënave për qytetarët

Paulina Behluli, koordinatore e projektit që synon shtyrjen e anëtarësimin të Kosovës në Open Government Partnership, një projekt ky që synon fuqizimin e zërit qytetar, ka folur lidhur me hapat që duhet ndjekur Kosova për tu bërë pjesë e kësaj iniciative globale.

Ajo në Express Intervistë ka thënë se institucionet kanë bërë punë të mirë deri tash me hapjen e të dhënave, porse sipas saj, ka ende hapësirë.

“Në Kosovë ekzistojnë portale të shumta që mundësojnë hapje të të dhënave. Portali si në 2016 kur është miratuar karta e të dhënave të hapura, është portali i qeverisë, portali i të dhënave të hapura, është karta që komunat i kanë të dhënat e digjitalizuara dhe janë të hapura. Puna e mirë është bërë por ka hapësirë për më shumë, ka hapësirë të publikohen më shumë të dhëna dhe në kohë, më të sakta, të përditësohen”, ka thënë ajo.

Behluli e cila është pjesë e organizatës joqeveritare “Open Data Kosovo” ka thënë se jo gjithëherë duhet të fajësohen institucionet për mos qasjen në të dhëna, por sipas saj, e rëndësishme është mënyrë dhe për çka kërkojnë qytetarët qasje.

“Për 6 vite operim, organizata vazhdimisht ka punu në këtë drejtim. Gjithmonë nisemi me atë që ndonjëherë i fajësojmë institucionet që nuk po i hapin të dhënat por duhet të kthehemi edhe te qytetarët se çfarë kërkojnë ata”, tha ajo.

“Ne provojmë të jemi urë lidhëse që ato hapësira që janë, t’i mbushim”.

Behluli thotë se që nga viti 2013 kur Kosova provoi pa sukses të anëtarësohet në OGP, tashmë ka shumëçka për të ofruar.

Ndërkaq, ka thënë se do të bashkëpunojnë me të gjithë akterët për të mundësuar anëtarësimin.

“I kemi mëndu të gjitha aktivitetet që përkojnë për tu anëtarësuar në OGP. Në OGP mund të qasemi të gjithë dhe i shohim procedurat për anëtarësim. Ne do bashkëpunojmë edhe me institucionet dhe organizatat”, tha ajo, duke shtuar se anëtarësimi megjithatë nuk është obligues.

“OGP është iniciativë ndërkombëtare, anëtarësimi nuk është e obligueshme. Hapat për tu anëtarësu është hartimi i planit të veprimit. Plani ka kohë për tu hartu që duhet të përqëndrohet në pikasi ofrimi i qasjes së qytetarëve, të bëhen të hapura kontrata publike që nënshkruhen, të dihet si shpenzohet buxheti, puna e bizneseve, etj”.

Pas hartimit të strategjisë dy-vjeçare për anëtarësim, Behluli thotë se synim i Kosovës nuk është parimisht të anëtarësohet, por të arrihet transparencë më e madhe që fuqizon llogaridhënien.

“Qëllimi jonë nuk është që drejtpërdrejt anëtarësimi por të arrihet transparencë më e madhe që të fuqizohet llogaridhënia. Të fokusohemi në qëllimin më afatgjatë që të jemi më transparent dhe të kemi qasje në dokumente të ndryshme”, tha ajo.

Open Government Partnership është organizatë ndërkombëtare e reformave brenda dhe jashtë qeverisë, e cila punon për të transformuar se si qeveritë i shërbejnë qytetarëve të tyre.