Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se i takon Qeverisë së Kosovës ta propozojë se si të ecet para me çështjen e Asociacionit.
Ai për DESKUN në KTV ka thënë se nuk ka statut zyrtar për Asociacionin.
“I takon Qeverisë së Kosovës ta propozojë mënyrën për të ecur para. Nga këndvështrimi im kishte një numër dokumentesh dhe komunikimesh informale për këtë çështje, por ne presim pozicionin e Qeverisë së Kosovës për mënyrën si të vazhdohet me këtë çështje. Kam parë disa dokumente që nga viti 2013...Për mua nuk ka statut zyrtar, sepse nuk u propozua zyrtarisht, as në kornizën e atëhershme, as në diskutimin aktual. Kjo është çka pritet. E para, çështja është e shtruar, është pozicioni i Kosovës, pastaj duhet të jetë edhe pozicioni i Serbisë, pastaj duhet të shohim si zhvillohen negociatat, sepse në fund të fundit BE-ja është thjesht lehtësuese e dialogut, por ky është dialog mes dy palëve, Prishtinës dhe Beogradit. Natyrisht, në çdo negociatë ndërkombëtare fillohet me dy pozicione të largëta, por kur ka vërtet seriozitet për arritjen e rezultatit dhe kësaj marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, atëherë duhet të bëhen disa kompromise”, tha Szunyog.