Arbëri

Dialogu, BE-ja pret marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda muajsh

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Sunjog, në një intervistë ekskluzive për “DESKUN” ka deklaruar se jo të gjitha pikat që do t’i përmbajë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund t’u pëlqejnë të dyja palëve.

Por, ka shtuar se marrja e obligimit ndërkombëtar për zbatim të tyre përmes ratifikimit në parlamentet respektive, do t’i ndihmojë dy vendet që të ecin përpara në perspektivën evropiane.

Sipas tij, procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Brukseli po shënon progres derisa grupet e ekspertëve kanë arritur pajtim tashmë në disa çështje të hapura. Sunjog ka thënë se hollësitë për marrëveshje specifike nuk do të bëhen të ditura deri në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, transmeton KOHA.

“Ky është parimi bazë i negociatave ndërkombëtare. Nëse negocion një marrëveshje, nuk shkon pastaj ta tregosh çdo paragraf individual ose çdo kapitull pasi dakordohesh për të”, ka thënë Szunyog.

Në lidhje me Asociacionin e komunave serbe, ai ka thënë se është Prishtina ajo që duhet të dalë me një propozim, i cili do të hidhej në tavolinën e negociatave dhe çështja nëse duhet të ketë ndryshime kushtetuese për ta akomoduar atë mbetet në dorën e palëve se si do të merren vesh.

Shefi i Zyrës së BE-së ka folur edhe për vendimin e Qeverisë për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsion me ç’rast ka përshëndetur gatishmërinë e kryeministrit Hoti që t’i sqarojë arsyet e këtij veprimi të befasishëm. Hoti, sipas Sunjog, e ka siguruar BE-në që Task-Forca është shuar me qëllim të një riorganizimi më të mirë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ajo që është thënë ka qenë inkurajuese në kuptimin që ai e ka shpjeguar vendimin, ai i ka shpjeguar arsyet e tij por gjithashtu ka prezantuar disa hapa që planifikon t’i ndërmarr gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme dhe gjithashtu ka nënvizuar se i tërë qëllimi i këtij veprimi është që zbatimi i ligjit dhe sidomos lufta kundër korrupsionit të bëhet më efektive e më efikase dhe në linjë me sistemin tuaj ligjor”, shprehet ai.

Intervistën e plotë, me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Sunjog, mund ta ndiqni në emisionin “DESKU” prej orës 20:00.