Arbëri

ASK përfundon azhurnimin e qarqeve Regjistruese (AQR)

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përfunduar Projektin e azhurnimit të qarqeve regjistruese 2020.

Ky projekt ka filluar në qershor të këtij viti dhe ka pasur për qëllim përmirësimin e kornizës së mostrës së qarqeve regjistruese për nevoja të anketave të rregullta të ASK-së, si dhe për nevoja të përgatitjes së bazës hartografike dhe operative për Regjistrimin e Popullsisë 2021.

Gjatë kësaj periudhe janë azhurnuar 2 300 qarqe regjistrues në tërë territorin e Kosovës. Azhurnimi I qarqeve regjistruese ka regjistruar në terren të gjitha ekonomitë familjare dhe i ka identifikuar të gjitha objektet ndërtimore në kuadër të qarqeve regjistruese.

Mbledhja e të dhënave është bërë përmes metodës CAPI (Intervistimi Personal i Asistuar me Kompjuter) përmes së cilës ASK-ja mëton ta përmirësojë cilësinë e të dhënave dhe t’i shkurtojë afateve kohore për mbledhjen e të dhënave. Metoda CAPI po ashtu ka një kosto më efektive dhe është një zgjidhje më e qëndrueshme.

Përmes këtij projekti, ASK-ja ka një pasqyrë të qartë në terren për të dhënat e:

• Numrit të ekonomive familjare,

• Etnicitetit të ekonomisë familjare,

• Numrit të ekonomive familjare në një ndërtesë,

• Objekteve ndërtimore të dedikuara për banim,

• Numrit të objekteve ndërtimore të banuara/zbrazëta

• Numrit të banesave në ndërtesë,

• Numrit të kateve në ndërtesë,

• Objekteve ndërtimore, të banuara, që nuk gjenden në hartën e Qarkut Regjistrues,

• Objekteve ndërtimore që figurojnë në hartën e Qarkut Regjistrues, e që aktualisht nuk gjenden në terren (sepse në ndërkohë janë rrënuar).