1 perditesime
18:35

Zyra e BE-së: Po e studiojmë vendimin e Qeverisë për shuarjen e Task-Forcës

Zëdhënësja për Komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Dinka Zhivalj, ka komentuar çështjen e shuarjes së Task-Forcës nga ana e Qeverisë.

Zyra e BE-së ka thënë se duhet një vullnet i fortë politikë për ta luftuar në mënyrë efektive korrupsionin.

“Siç e kemi potencuar në Raportin tonë për Kosovën 2020 dhe siç pranoi edhe EULEX-i në raportin për monitorim të publikuar dje, ka nevojë për një vullnet të fortë politik që të luftohet në mënyrë efektive korrupsioni”, ka thënë Zhivalj.

Tutje Zyra e BE-së ka konfirmuar se ky vendim i Qeverisë është duke u studiuar.

“Jemi duke studiuar vendimin e Qeverisë. Kosova është zotuar se do të luftojë në mënyrë efektive korrupsionin në nivel të lartë, përfshirë këtu vis a vis BE-së, si në MSA ashtu edhe udhërrefyesin për liberalizim të vizave”, ka thënë ajo.

17:05

EULEX-i e sheh shqetësuese shuarjen e Task-Forcës, kërkon sqarime nga Qeveria për pozicionin e saj

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, vlerësoi se vendimi i Qeverisë për të shuar Departamentin special kundër korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, ngre shqetësime serioze në lidhje me zotimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin.

“Qeveria duhet të sqarojë pozicionin e saj sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në një përgjigje për KOHËN nga EULEXi-i.

Sipas këtij misioni, Task-Forca e shuar ka luajtur rol thelbësor në fushën e kundër korrupsionit.

“Siç është thënë në raportin e monitorimit të publikuar dje (e hënë) nga EULEX-i, Task Forca Kundër Korrupsionit ishte në gjendje të zbulonte dhe të kryente hetime të profilit të lartë ku përfshiheshin persona të shquar dhe të ekspozuar politikisht, si dhe raste komplekse financiare, duke përfshirë raste që kanë të bëjnë me privatizime ose tenderë publik të cilat kanë shkaktuar dëme në buxhetin publik që vlerësohen të kenë qenë në shuma prej disa miliona eurosh”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, EULEX-i ka identifikuar se nuk ka pasur bashkëpunim dhe koordinim të duhur midis Task Forcës Kundër Korrupsionit dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë (PSRK).

“Kryesisht sepse nuk ka pasur asnjë pikë kontakti të caktuar në PSRK për Task Forcën Kundër Korrupsionit. Krijimi i paradokohshëm i një departamenti të specializuar kundër korrupsionit në kuadër të PSRK-së është një hap në drejtimin e duhur dhe duhet të ishte materializuar duke e përmirësuar bashkëpunimin e tij me Task Forcën e Policisë së Kosovës për të bërë përparim në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në përgjigjen për KOHËN .