Arbëri

Motra e deputetit dhe ish-anëtarja e AAK-së në Bord të UP-së

Motra e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, Shpresa Gjonbalaj është emëruar anëtare e Bordit të Universitetit të Prishtinës. Këtë vendim e ka marrë ditë më parë ministri i Arsimit, Ramë Likaj, i cili vjen nga kjo parti.

Vite më parë, Gjonbalaj ka qenë edhe anëtare e kryesisë së AAK-së në Pejë. Emërimi i saj është bërë meqë javë më parë dha dorëheqje njëra nga anëtaret e Bordit të Universitetit, Mimoza Hasani-Pllana, raporton KOHA.

Ministri Likaj nuk është përgjigjur në pyetjet e “Kohës” rreth ndikimit politik në emërimin e Gjonbalajt në Bord të UP-së.

E vetë ajo ka thënë përmes telefonit se nuk është emëruar për arsye politike, por për shkak të përvojës së saj në institucione.

“Unë nuk jam anëtare e asnjë subjekti politik, me siguri të plotë unë e them qe që 4 vjet e kam pushuar aktivitetin tim politik. Kam vazhduar aktivitetin tim profesional, kam mbrojtur doktoraturën, jam doktorë e shkencave të historisë së artit në Akademinë e Studimeve në Tiranë. Bagazhi im profesional dhe institucional ka bërë që të jem pjesë e këtij këshilli. Nuk e konsideroj se ka pasur ndonjë imponim, vëllai im është bërë deputet. Pasi kam mbaruar doktoraturën, pasi e kam mbrojtur disertacionin tim doktoral, nuk e konsideroj që ka ndërhyrje politike”, ka thënë Shpresa Gjonbalaj, anëtare e Bordit të UP-së.

“Koha” ka tentuar të sigurojë një qëndrim edhe nga deputeti Arbër Tolaj, por nuk ka marrë përgjigje.

Njerëz partiakë Likaj ka emëruar muaj më parë edhe në Universitetin e Pejës. Dy nga tre të emëruarit në Bordin e këtij universiteti janë Shkëndije Ukaj, motra e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj dhe Ardian Berisha, anëtar i kryesisë së AAK-së në Pejë.

Sipas statutit të universiteteve publike, Këshilli drejtues ka 9 anëtarë, 4 prej të cilëve emërohen nga ministri dhe 5 të tjerë zgjidhën nga senati.

Akuza për ndërhyrje politike në UP ka bërë një ditë më parë edhe rektori Naser Sahiti, por nuk ka dashur të përmendë se për cilën parti bëhet fjalë.