4 perditesime
20:59

100 mijë euro për artin në hapësirat publike të Prishtinës

Këshilltari në asamblenë e Prishtinës, Adrian Berisha, ka thënë se Komuna e Prishtinës ka ndarë 100 mijë euro për vizatime në hapësira publike të kryeqytetit.

Ai në emisionin Raport të KTV-së, ka thënë se këto mjete janë ndarë nga Drejtoria për Kulturë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa projektet do të implementohen vitin e ardhshëm.

“Përveç bashkëpunimit me ‘Gorilla art festival’ dhe me ‘Meeting of styles’ për vitin e ardhshëm, Komuna e Prishtinës ka ndarë disa linja buxhetore për artin në hapësira publike. Janë ndarë 100 mijë euro nga Drejtoria e Kulturës. E kemi projektin për tunelin e Kurrizit, ku përveç renovimit, e kemi edhe qëllim që hapësira brenda të shndërrohet në vepër arti”, ka deklaruar ai.

Berisha ka thënë se ky projekt ka për qëllim që në një hapësirë publike të qytetit, të bëhet një vend i quajtur hapësirë përkujtuese, ku përkujtohen artistë apo sportistë të ndryshëm të vendit.

 

20:50

Boshnjaku: Profesionin e kam pasur bashkëshorte, kurse artin dashnore

Skender Boshnjaku pos profesionit si neuropsikiatër është marrë edhe me zhvillimin e artit. Tash që është pensionuar, i është përkushtuar edhe më shumë artit, përkatësisht grafiteve.

Ai në një intervistë në emisionin Raport të KTV-së, ku u trajtua tema e “Arti në hapësirat publike”, ka thënë se gjatë gjithë jetës ka dashur të lë gjurmë.

E kur flet për profesionin e neuropsikiatrit dhe artin, ka një krahasim.

“Profesionin e kam pasur bashkëshorte, kurse artin dashnore. Ky është mendim i Anton Pavloviq Çehovit dhe unë po e përsërisë atë. Jam përpjekur pas çdo pjesë të jetës që e kam kryer, që të fillojë një pjesë tjetër të jetës. Dhe gjithnjë derisa kam grahmën e fundit do të lë ndonjë gjurmë. Njeriu duhet të lë shumë gjurmë, ta arsyetojë jetën e vet. Shumëkush po e shpenzon jetën. Jeta është për të vepruar”, ka thënë Boshnjaku.

Dhe gjurma më e madhe për të është arti.

Ai ka botuar 4 libra për artin, ndërsa libri i tij i fundit flet për grafitet. Është botuar nga Botimet KOHA.

"Unë gjatë ndërrimit të natës sa isha në Klinikën e Neuropsikiatrisë, ku edhe jam themelues i saj, shkruaja librat e mi. Tash në pension kam dëshirë të merrem vetëm me art", ka thënë Boshnjaku.

 

20:39

Balaj: Institucionet kanë filluar t’i mbulojnë muralet

Menaxherja e festivalit ‘Meeting of styles Kosovo”, Dea Balaj, ka thënë se mbulimi i grafiteve është njëlloj si të mbulohen veprat e artit. Ajo në Raport të KTV-së ka thënë se është shqetësurese sesi disa nga institucionet kanë filluar edhe t’i mbulojnë muralet.

“Mbulimi i grafiteve është njëlloj si të mbulohet një vepër arti, prandaj ne jemi treguar shumë të kujdesshëm në këtë rregullim dhe ka qenë shumë fragjile në momentin kur ne kemi parë që ka akterë të tjerë të institucionëve tjera që mundohen t’i mbulojnë grafitet apo muralet që ne i kemi bërë”, ka thënë ajo.

Balaj tutje ka shtuar se qytetarët kanë filluar ta duan artin dhe se sipas saj, arti në fund do të jetë triumfues.

 

20:29

Dy festivalet për zhvillimin e artit urban për 6 vjet sollën rreth 500 artistë në Kosovë

Agon Xhelili, drejtues i Qendrës për Zhvillimin e artit, i cili para 6 vjetëve ka filluar organizimin e dy festivaleve për zhvillimin e artit urban, ka rrëfyer mbi iniciativën dhe vështirësitë që e kanë përcjellë gjatë punës së tij, në Raport të KTV-së.

“Guerlia art festival” dhe "Meeting of styles Kosova", janë dy festivale të cilat kanë mbledhur artistë nga shumë vende të botës, për ta zbukuruar Prishtinën tash për disa vite.

Xhelili ka thënë se ato kanë sjellë rreth 500 artistë nga e gjithë bota për 6 vite prej kur ka filluar organizimi i tyre duke shtuar se në këtë mënyrë i bëhet promovim Kosovës.

“Dy festivalet e Prishtinës për gjashtë vjet, organizata ka sjellë rreth 500 artistë në qytet, ka transformu diku 5000 metra katrorë hapësira të shëmtuara në vepra artistike, në kryevepra”, ka thënë Xhelili.

Xhelili ka thënë se në fillim nuk kanë pasur mbështetje institucionale, por shton se tash komuna e Prishtinës është bashkëpunëtor strategjik.

"Fillimi ka qenë i vështirë, duke sjellë ndryshime nëpër lagje edhe institucionet kanë reagu ndryshe. Tash Komuna e Prishtinës është bashkëpunëtori jonë strategjik, megjithatë ne kemi mbështetje edhe nga organizata të huaja, por edhe nga ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë, pasi që me këto festivale ne i tregojmë botës për kulturën tonë", ka thënë Xhelili.

Ai sqaron se për shkak se vetë organizata nuk ka shumë buxhet të vetin, për shumëçka varet nga ai i komunës, si për rregullimin e terrenit kur gjendet i papërshtatshëm për grafitet.

Ndërkaq, Xhelili tregon edhe se si nisi organizimi për shndërrimin e mureve në vepra artistike.

“Iniciativa fillimisht ka pasë për qëllim me mbledhë një grup të krijuesve ku fillojnë me hulumtu, me gjetë hapësira ku do të mund të përmirësojnë kënde të ndryshme nëpër qytet”.

“Iniciativa në vitin e parë ka qenë më shumë e fokusuar në angazhimin e të rinjve, kemi punu nëpër lagje të ndryshme duke identifiku sa më shumë problematike që munden të përmirësohen dhe në të njëjtën kohë duke e rritur grupin që kanë dashtë të na bashkohen. Pas një viti të themelimit kemi filluar edhe me festivalin”, tregon ai.

 

20:09

Arti në hapësirat publike

Viteve të fundit artistët në Kosovë po e shfaqin kreativitetitn e tyre edhe në murale e hapësira të ndryshme të frekuentuara.

Kjo sadopak ka thyer zymtësinë njëngjyrëshe që e karakterizon thuajse shumicën e lokacioneve në Kosovë.

Ky lloj arti urban nuk është i pranishëm vetëm në kryeqytet, por edhe në vende të tjera të Kosovës.

Emisioni Raport në KTV, kësaj jave i është kushtuar artit në hapësira publike.