Ish-kryetari i Parlamentit të Vojvodinës njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate, Nenad Çanak, në një debat televiziv ka folur për ekzistimin e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi.
Gjatë debatit në emision “Çirilica”, Çanak, ka folur për deklarimet e ministrit te atëhershëm të policisë lidhur me ekzistimin e 16 varrezave të mundshme, për të cilat ishte marrë vendim që të mos flitej publikisht.
“Ekziston një gjë tjetër, që ma bëri me dije se kemi telashe. Kishte qenë një mbledhje e Opozitës Demokratike. Më duket ti ke qenë aty Çedo, kur ministri i Policisë, Dushko Mihajlloviq, e tha këtë fjali “Nuk mund të fle. Më duhet ta ndaj këtë me juve. I kemi gjetur 16 varreza masive në Serbi”. Pra, 16 varreza masive në Serbi. Dhe kur kam parë se çfarë kemi gjetur aty - duhet ta ndaj këtë me ju - dhe të merremi vesh se çfarë duhet bërë me gjithë këtë. U paraqita për të folur, dhe i thashë se nuk e kuptoja pyetjen. Kjo ka qenë shpejt pas 5 tetorit, mbase janari a shkurti. "Çka të bëjmë me gjithë këtë", i thashë, nuk po e kuptoj pyetjen. Nuk jemi këtu për t'i fshehur krimet e ish-regjimit, por që t'i zbulojmë. D.m.th. nesër konferencë për shtyp, t’i marrim me vete gazetarët prej një lokacioni në tjetrin që të bëhen xhirime e që më pas të vendosim se çfarë do të bëjmë. Atëherë, Zoran Gjingjiqi, i cili përherë është mbajtur i rezervuar se nuk kishte qejf ta impononte mendimin e tij, ani që ka pasur peshë të madhe. Tha: "Jo, jo. Këtë punë duhet hetuar, por nuk duhet dhënë shumë publicitet, sepse kush do të investojë në një shtet ku sa herë që të mihësh tokën do ta nxjerrësh një kafkë. Atëherë e kuptova se e kishim një problem të brendshëm serioz”, u shpreh Çanak, transmeton KOHA.
Çanak ka shtuar se “do të kishte qenë më mirë po që se këto kufoma ishin parë me sytë e tyre e jo të pyeteshin për to”.
“Mbase unë nuk e kam kuptuar mirë se cili ka qenë qëllimi i Opozitës Demokratike (DOS). Mbase metoda e zgjedhur nuk ka qenë e duhura, nuk e di, po e di një gjë: në vend se të bëhet prerja aty, që të sqaronim se çfarë ishte ajo punë, ngase pas Luftës së Dytë Botërore, aleatët që i kanë gjetur nuk i kanë fshehur kampet e përqendrimit, përkundrazi, kanë sjellë njerëz nga rrethina që të shohin me sytë e tyre. Do të kishte qenë shumë e shëndoshë po që se i kishim parë me sytë tanë se si dukeshin ato, e jo sot të pyetemi për to”, u shpreh tutje ai.