Arbëri

OSBE zgjedh shefin e ri të misionit në Kosovë, në garë edhe ish-zyrtarja e EULEX-it që i bëri presion Kohës

Misioni i OSBE-së në Kosovë pritet të bëhet me shef të ri, pasi që kreut aktual, ambasadorit Jan Braathu, po afrohet fundi i mandatit. Por, burime të Kohës tregojnë se një nga të nominuarit që ka gjasa të përzgjidhet ka një histori problematike në raport me mediat dhe lirinë e shtypit, gjë që paraqet një prej shtyllave të misionit të OSBE-së në Kosovë.

Catherine Fearon, ish-zyrtare e lartë në EULEX, është një prej të nominuarve që plotëson kushtet për pozitën e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, ndërsa në Prishtinë ajo është e njohur për presionin që i ka ushtruar medias në rastin e raportimit të skandalit të korrupsionit brenda EULEX-it më 2014.

Veç Fearonit, burimi i Kohës ka treguar se kandidatë të tjerë janë edhe ish-ambasadori francez në Kosovë, Dider Chabert, ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Michael Davenport, ish-ambasadorja e Finlandës në Maqedoninë Veriore, Nina Suomalainen.

Ish-ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka qenë po ashtu i nominuar, por burimet pranë kryesuesit të OSBE-së në Tiranë thonë se ai është tërhequr nga gara.

Tani, theksojnë burimet, bordi intervistues në Vjenë ka rekomanduar emrat e Davenportit dhe Fearonit si më të përshtatshmit, duke i dhënë përparësi ambasadorit aktual britanik në Kuwait, Davenport.

“Bordi unanimisht rekomandon ambasadorin Michael Davenport (Mbretëria e Bashkuar) për postin e shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Znj.Catherine Fearon (Mbretëria e Bashkuar) rekomandohet që t’i ofrohet posti në rast se ambasadori Davenport refuzon ofertën”, thuhet në rekomandimin zyrtar që ka arritur nga Vjena në adresën e qeverisë shqiptare, si kryesuese e OSBE-së. “Të gjithë kandidatët e pasuksesshëm po ashtu rekomandohet të aplikojnë për pozita të tjera të shefave të misioneve të OSBE-së”, shton rekomandimi.

Sipas procedurave, tani kryesuesi i OSBE-së duhet t’i ndjekë rekomandimet e bordit intervistues dhe t’ia ofrojë pozitën ambasadorit Davenport. Dhe, në rast se ai refuzon, oferta për pozitë do t’i shkojë znj.Fearon, e cila aktualisht është zëvendësshefe e Misionit Monitorues të BE-së në Gjeorgji.

Historia e Fearonit në Kosovë lidhet me një incident të ndodhur më 2014, kur gazeta Koha Ditore raportoi për skandalin korruptiv në të cilin ishin përfshirë disa zyrtarë të lartë të EULEX-it. Në tetor të vitit 2014, gazetari që raportoi skandalin, Vehbi Kajtazi, ishte ftuar për bisedë në EULEX, ku në një bisedë të tensionuar dhe nën presion ishte marrë në pyetje nga znj. Fearon, që asokohe ishte këshilltare e shefit të EULEX-it, Meucci.

Siç është raportuar edhe asokohe, znj.Fearon i kishte bërë presion gazetarit të mos e publikojë shkrimin që zbulon aferën korrutive brenda EULEX-it dhe e kishte kërcënuar me burg nëse informacionet publikohen. Fearon pati kërkuar nga gazeta dhe gazetari dorëzimin e dokumenteve për rastin dhe i kishte bërë presion gazetarit në zyra të misionit. Ndaj presionit, që në momente mund të konsiderohej edhe kërcënim, ka pasur reagime nga Komuniteti i Gazetarëve të Kosovës, ndërsa për pasojë Koha pati ndërprerë çdo lloj komunikimi me misionin e EULEX-it dhe kreun e atëhershëm të saj, Gabrielle Meucci, i cili bashkë me znj.Fearon refuzonin të kërkonin falje për trajtimin e gazetarit.

Znj.Fearon, para EULEX-it, ka punuar edhe në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO) si shefe e zyrës në Mitrovicë.